VOA: SHBA-të po hyjnë në 'javët e pikut të vdekjeve' nga koronavirusi

Publikuar tek: bota, më 23:03 06-04-2020 VOA: SHBA-të po hyjnë në 'javët e pikut të vdekjeve' nga koronavirusi Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo

Guvernatorët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit thanë të hënën se në shtetet e tyre po duken shenja të një "rrafshimi" të kurbës së koronavirusit, por paralajmëruan që të mos bihet në vetëkënaqësi, ndërkohë që numri i vdekjeve në mbarë vendin e ka kaluar shifrën 10 mijë.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se numri i të vdekurve nga koronavirusi patën një rritje prej 599 nga e diela në të hënën, krahasuar me 594 gjatë 24 orëve të mëparshme. Të premten, shifra ishte 630.

Rastet me koronavirus në shtetin e Nju Jorkut, epiqendra amerikane e pandemisë, u rritën 7 përqind gjatë 24 orëve tha Cuomo. Pranimet në spitale dhe në njësitë e kujdesit intensiv si dhe intubimet e pacientëve në respirator pësuan rënie, një shenjë e një rrafshimi të mundshëm të kurbës, thanë zyrtarët.

Por Cuomo paralajmëroi se shifrat mbeten të zymta.

Në shtetin fqinj të Nju Xhersit, i dyti për nga numri i vdekjeve, Guvernatori Phil Murphy tha se "Përpjekjet tona për të rrafshuar kurbën kanë filluar të japin rezultat.” Në Nju Xhersi janë konfirmuar më shumë se 41,000 raste dhe ka patur më shumë se 1.000 vdekje të lidhura me koronavirusin. Murphy paralajmëroi se nëse distancimi social dhe larja e duarve do të shpërfillen, sistemi i kujdesit shëndetësor do të përmbytet me numrin e madh të pacientëve.

Të paktën një model studimi ofron shpresë se niveli i vdekjeve në SHBA është ngadalësuar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit, një nga disa të cituar nga zyrtarët, parashikon se deri në 4 gusht, në SHBA do të ketë 81,766 të vdekur nga koronavirusi, rreth 12,000 më pak nga një parashikim i nxjerrë gjatë fundjavës.

Ekspertët mjekësorë të Shtëpisë së Bardhë kanë parashikuar se nga pandemia mund të vdesin midis 100,000 dhe 240,000 amerikanë, edhe nëse ndiqen udhëzimet për qëndrimin në shtëpi. Megjithë tonin shpresëdhënës në Nju Jork dhe Nju Xhersi, zyrtarët amerikanë të shëndetit thonë se vendi po hyn në “javët e pikut të vdekjeve.”

Nju Jorku ka raportuar më shumë se 3,100 vdekje deri tani dhe mund të vendosë që të vdekurit të varrosen përkohësisht në një park të qytetit, tha Mark Levine, kryetar i Këshillit Shëndetësor të Bashkisë së Qytetit.

SISTEMET SPITALORE NË PROVË TË VËSHTIRË

Shtimi i numrit të të diagnostikuarve me koronavirus pritet të vërë para një sprove të vështirë sistemet spitalore në disa shtete amerikane brenda dy javëve të ardhshme:

Presidenti Trump paralajmëroi për një javë të vështirë përpara, për rritje dramatike të numrit të viktimave nga COVID-19. Në konferencën e përditshme për shtyp, presidenti tha të dielën në Shtëpinë e Bardhë se përveç vatrave të njohura të infeksionit, probleme akute pritet të shfaqen edhe në zona të reja ku sapo kanë filluar diagnostikimet në masë:

“Po i afrohemi një periudhe të tmerrshme. Ndoshta një periudhe që ky vend nuk e ka par ndonjëherë. Po na afrohet një moment kur do të shohim shifra shumë të larta. Duam që ta pengojmë sa më shumë rritjen e shifrave”.

Presidenti e krahasoi situatën me një peridhë lufte. Paralajmërimet e zymta vijnë në një kohë kur zyrtarët kanë deklaruar se kurba e shtimit të infeksioneve po zbutet dhe ka sinjale të qarta të uljes së ritmeve të përhapjes. Por me shtimin e diagnostikimeve edhe në shtete që deri disa ditë më parë nuk kishin identifikuar raste pozitive, efekti i përgjithshëm bëhet çdo ditë e më i rëndë:

“Do të shohim vazhdimin e shtimit të numrit të të vdekurve,” tha Dr. Anthony Fauci, duke shpjeguar se edhe në rastet kur masat parandaluese japin rezultatin më optimal, shfaqja e infeksioneve të reja do të vazhdojë dhe numri total i të infektuarve dhe viktimave të COVID-19 do të vazhdojë të rritet.

Drejtori i Institutit të Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci përsëriti se amerikanët duket të përgatiten për të paktën 100 mijë të vdekur, bazuar në modelet aktuale kompiuterike që analizojnë situatën. Por ai shtoi se shpreson që kjo shifër të jetë në realitet më e ulët.

Presidenti Trump u përball me pyetje për mbështetjen me personel dhe pajisje që kërkojnë shtete individuale amerikane në këtë betejë. Qeveria federale është bërë objekt kritikash për reagim të mangët sidomos nga shtete ku janë vërejtur vatra aktive dhe përhapje e shpejtë e infeksionit,

“Frika se do të hasin në mungesa i ka bërë disa shtete të kërkojnë më shumë pajisje se iu nevojiten. Një shtet na kërkoi 40 mijë aspiratorë. S’është e mundur që të kenë nevojë për aq shumë. Tani edhe ata vetë e pohojnë se nuk do t’u nevojitet një numër aq i madh. Po u dërgojmë sa të mundemi”.

Presidenti përsëriti synimin e tij që vendi të fillojë të kthehet në normalitet sa më parë që të jetë e mundur dhe të rihapet aktiviteti ekonomik. Specialistë të shëndetit publik, përfshirë edhe pjesëtarë të ekipit të Shtëpisë së Bardhë për koordinimin e përgjigjes kundër koronavirusit, paralajmërojnë se është ende herët për të bërë plane dhe se dy javët e ardhshme do të ofrojnë më shumë qartësi për masat e izolimit social dhe efektin e tyre për të vënë nën kontroll sëmundjen. /VOA

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.011130094528198
array(1) { ["section"]=> string(73) "voa-shba-te-po-hyjne-ne-javet-e-pikut-te-vdekjeve-nga-koronavirusi-201652" }