Ka vjedhur makinën e komunës që drejton dhe më pas e ka shitur atë për skrap, për të humbur gjurmët. Kryetari i Komunës së Milotit, Vlash Gega është shpallur në kërkim nga policia për vjedhjen e pronës shtetërore.
Siç bëjnë të ditur efektivët, makina është vëzhguar të qëndrojë disa ditë në një prej bizneseve të Vlashit dhe më pas ajo është shitur për skrap nga ai vetë.
Makina e komunës për të cilën akuzohet 53-vjeçari është e tipit ‘’Fiat’’.
Ende nuk dihet vendndodhja e kryetarit të komunës, i cili është larguar nga Miloti pa lënë asnjë gjurmë. Policia është duke hetuar destinacionet e mundshme të tij si dhe po pyet familjarët e kryetarit të komunës.