Vonesa e drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë, 'hendeku i përgjegjësisë' dhe roli i SHBA

Publikuar tek: aktualitet, më 23:12 01-05-2019 Vonesa e drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë, 'hendeku i përgjegjësisë' dhe roli i SHBA

Një seancë e Kongresit amerikan në Uashington tërhoqi vëmendjen për faktin që 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, drejtësia për viktimat ende nuk është bërë realitet. 

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, nën drejtimin e kryetarit demokrat, Eliot Engel dëgjoi dëshmi personale dhe mendimet e ekspertëve lidhur me mungesën e përgjegjësisë për krimet e kohës së luftës. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, një nga shqetësimet kryesore që u ngrit në seancë ishte prirja për vënien e shenjës së barazimit mes viktimave dhe autorëve të krimeve.

Vasfije Krasniqi Goodman e tregoi tmerrin e 14 prillit 1999, para anëtarëve të Kongresit dhe të pranishmëve që kishin mbushur sallë.

“Më kujtohet gjithçka. Më kishte drejtuar armën, abuzoi me mua dhe më përdhunoi shumë herë. Isha aq e tronditur dhe e raskapitur saqë humba ndjenjat. Here pas here vija në vete dhe qaja jashtë kontrollit, duke iu lutur të më vriste. Ai tha ‘Jo. Nuk të vras sepse kështu do të vuash më shumë’. Dhe është e vërtetë që vuajta shumë”.

Ishin dëshmitë personale ato që e përçuan më qartë se gjithçka mesazhin që e përshkoi seancën: se 20 vjet më pas drejtësia nuk është vendosur për mbi 13 mijë të vrarët, mbi 20 mijë të përdhunuarit, afro 1 mijë e 700 të zhdukurit nga lufta e Kosovës.

Ilir Bytyqi, vëlla i Ylli, Agron, and Mehmet Bytyqit, të vrarë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë, tha se kishte një mesazh të thjeshtë për botën.

“Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni paqe afatgjatë në Ballkan, ne nuk mund të injorohemi. Nëse doni që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje me mbështetje të gjerë dhe të thellë, ne nuk mund të injorohemi. Nëse doni që udhëheqësit të mos vënë një grup kundër tjetrit, ne nuk mund të injorohemi”.

Këtë fakt e theksoi në fjalën e tij edhe Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Deri sot, 20 vjet më pas, ka pasur pak ose aspak drejtësi për viktimat. Atyre që humbën të dashurit e tyre, apo që u sulmuan seksualisht nuk u është ofruar praktikisht asnjë mekanizëm për t’u përballur me shkaktarët e krimeve. Po, misioni i OKB-së në Kosovë i analizoi krimet, por nuk bëri asgjë për të siguruar drejtësinë për viktimat”, tha ai.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka bërë kauzën e saj, kërkesën e drejtësisë për viktimat me një fokus tek përdhunimi si instrument lufte. Ajo tha se 20 vjet më parë “na zhveshën nga dinjiteti dhe humaniteti.

“Kjo seancë na jap një shans t’u tregojmë ligjvënësve amerikanë dhe audiencës globale sesi drejtësia nuk është vendosur për viktimat e luftës së Kosovës dhe çfarë masash duhet të merren për të ecur përpara”.

Dr. Paul Williams, i Universitetit Amerikan në Uashington, tha se Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ngriti akuza vetëm ndaj shtatë pjesëtarëve të regjimit serb për krime të kryera në Kosovë.

“Çuditërisht, - tha ai, - asnjë nga këto shtatë aktakuza nuk përfshinte një akt të qartë të përdhunimit si krim kundër njerëzimit”, tha ai.

Mekanizmat e drejtësisë dhe "hendeku i përgjegjësisë”

Zonja Jahjaga thotë se drejtësia nuk është çështje për t’u negociuar. “Është e drejtë e gjithkujt që ka vuajtur nga lufta. Kjo çështje është më e madhe se politika dhe të gjithë ne. Drejtësia është parakusht për një paqe afatgjatë”.

Kongresmeni Engel thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, mund të kishin këmbëngulur për drejtësi për viktimat e brutalitetit të Millosheviçit, “por në pjesën më të madhe, ne dështuam të marrim masa thelbësore”.

“Akoma më keq, Shtetet e Bashkuara e detyruan Kosovën të krijojë një ‘Gjykatë të Posaçme’ për t’u përballur me akuzat për shkekje nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

“A kërkuam ne dhe aleatët tanë evropianë që në këmbim për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Beogradi të merret me vendosjen e drejtësisë pas konfliktit? Jo. Ne ia lamë të gjitha mbi shpinë Kosovën. Dhe kështu Kosova duhet ka një Gjykatë të Posaçme për të hetuar vetveten”.

Profesori i Universitetit Amerikan, Paul Williams bie dakord duke theksuar se ka një ‘hendek përgjegjësie’, përsa u takon krimeve në Kosovë dhe nuk duhet përqafuar teoria se të gjitha palët janë njëlloj përgjegjëse, kur forcat serbe ishin përgjegjëse për mbi 80 për qind të krimeve.

“Hendeku i përgjegjësisë krijuar nga veprimet e komunitetit ndërkombëtar dhe Shteteve të Bashkuara, vjen nga një qasje 20 vjeçare e Bashkimit Evropian ndaj konfliktit në ish-Jugosllavi: akomodim dhe marrje me të mirë të regjimit serb. Ky qëndrim kërkon mbajtjen e një perceptimi të barazisë morale mes të gjitha palëve të konfliktit”, tha ai.

Rreziku i kësaj qasjeje ka pasoja të rënda sipas Prof. Williams.

“Barazia morale e rreme, krijimi i gjykatave me bazë etnike, mohimi i qasjes tek drejtësia për viktimat dhe konsolidimi i padrejtësisë etnike, minon legjitimitetin e mekanizmave të vënies para përgjegjësisë dhe aftësinë e tyre për të nxitur pajtimin, që është thelbësore për një paqe të qendrueshme”.

Ai tërhoqi vëmendjen për atë që e quajti fokus miopik të Gjykatës së Posaçme, duke thëse se nëse karakterizimi i saj se është ngritur për krime nga ish-anëtarët e UÇK-së, atëherë gjykata në thelb i jep de facto një amnisti atyre që kryen krime në emër të regjimit serb dhe bllokon drejtësinë efektive për qindra-mijëra viktima në Kosovë.

Roli i Shteteve të Bashkuara

Prof. Williams thotë se karakterizimi i përgjithshëm diplomatik i gjykatës është se është krijuar për të ndjekur penalisht shqiptarët që shërbyen në UÇK.

“Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me qeverinë e Kosovës për të afirmuar dhe nëse është e nevojshme, qartësuar që mandati i gjykatës të mbulojë të gjitha krimet e kryera në territorin e Kosovës dhe të mos jetë i kufizuar vetëm tek ndjekja penale e anëtarëve të një grupi etnik autorësh krimesh”.

Por, ai tha se edhe nëse është i nevojshëm ndonjë amendim i statutit të gjykatës, Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Kosovën për ta realizuar atë.

“Ky veprim duhet të jetë një deklaratë nga Departamenti i Shtetit, që të shpjegojë se çfarë mbulon mandati. Shtetet e Bashkuara japin fonde për këtë gjykatë, sepse është një mekanizëm hibrid ndërkombëtar, pra ta kushtëzojë financimin me interpretimin e duhur të mandatit dhe ta mbështesë me personelin dhe burimet e nevojshme”.

Ai shtoi se angazhimi i Shteteve të Bashkuara në drejtim të vendosjes së drejtësisë për këtë çështje, duhet të rigjallërohet.

Kongresmeni Engel është dakord.

“Mendoj se drejtësia për viktimat e Luftës së Kosovës nuk do të arrihet kurrë nëse ne – dhe kur them ‘ne’ e kam fjalën për Departamentin e Shtetit dhe Bashkimin Evropian – vazhdojmë ta fshehim këtë çështje nën rrogoz”. /VOA

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.052706956863403
array(1) { ["section"]=> string(98) "vonesa-e-drejtesise-per-viktimat-e-luftes-ne-kosove-hendeku-i-pergjegjesise-dhe-roli-i-shba-162618" }