Gjyqi i Devi Lalës, të riut që tre ditë më parë goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij Armando Gjokazajn, duke e lënë të vdekur, është zhvilluar ditën e sotme me dyer të mbyllura.
Lala ka dalë para trupit gjykues me akuzën e vrasjes së Gjokazës, 15 vjeç.
Sipas Lalës, dy adoleshentët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe në gjaknxehtësi e sipër, Lala e ka goditur viktimën disa herë me thikë. Ai pranoi se e ka qëlluar Armando Gjokazajn për t’u vetëmbrojtur.
“Më sulmoi vetë i pari, më goditi në kokë me celular. Ata ishin dy dhe unë nxorra thikën nga frika për t’u mbrojtur. E qëllova nga frika, megjithatë ndjej shumë pendesë për veprimin tim. Mund t’a kisha shmangur”- mësohet të ketë thënë Lala në procesin gjyqësor.
Armando Gjokazaj mbeti i vdekur pas një konflikti pranë ambjenteve të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës, ku u godit disa herë me mjete prerëse nga Devi Lala, goditje të cilat rezultuan fatale për jetën e 15 vjeçarit.