Një pelikan kaçurrel, shpend i rrallë në zhdukje, është vrarë në Dumre.
Organizata e monitorimit të shpendëve, Albanian Ornithological Society (AOS) jep alarmin për ngjarjen e rëndë dhe u kërkon autoriteteve të gjejnë autorët e të marrin masat, sa më shpejt.
“Ja dhe nje"trofe" tjetër! Kësaj rradhe një Pelikan kacurrel (Pelecanus crispus), një specie e rrezikuar në shkallë vendi e sidomos shumë e paket si folezuese. Individi i vrarë është qartësisht i rritur dhe ndoshta folezues nisur nga ngjyra portokalli e gushës dhe puplat kacurrela në pjesën e sipërme të kokës.
Ky është një rast tjetër që godet punën e kryer në gjithë këto vitet e fundit për mbrojtjen e species nga zhdukja dhe shtimin e saj.
Nisur nga disa raste të fundit përfshirë, Gardalinat (Carduelis carduelis) të kapura në Korçë, Shqiponjën e malit (Aquila chrysaetos) të kapur në Pukë, Thëllëzat e malit (Alectorix graeca) të vrara në Kukës, Marsatoret (Spatula querquedula) e masakruara në Bishtkezë-Fllakë (Durrës) dhe këtij Pelikani kacurrel, duket qartazi se ka një shtim të krimit mbi gjallesat! Raste që rëndohen akoma më shumë nga koha e folezimit.
I bëjmë thirrje Inspektoratit Shteteror të Mjedisit dhe Pyjeve, Policise së Shtetit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të reagojnë për të ndalur këtë fenomen një orë e më parë. Mosveprimi stimulon krimin dhe ka pasoja shumë negative e afatgjata!
PS. Inspektorati i Mjedisit dhe Policia e Shtetit duhet të gjejnë burimin e fotos, të gjejnë vendin, të kërkojnë autorët dhe të marrin masat përkatëse administative! SA ME SHPEJT!”, thuhet në reagimin e AOS.