Xhama antiplumb, dedektorë dhe kamera gjithandej… Urdhri i ri i Tahirit për forcimin e sigurisë në vend

Publikuar tek: aktualitet, më 12:51 10-03-2017 Xhama antiplumb, dedektorë dhe kamera gjithandej… Urdhri i ri i Tahirit për forcimin e sigurisë në vend

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u kërkon të gjitha institucineve publike dhe private që të shtojnë masat për siguri më të lartë për qytetarët.

Ministri tha se për këtë duhet të bashkërendojnë me kompanitë e policive private dhe për këtë ai u ka lënë një afat deri më 28 dhjetor të këtij viti. Në të kundërt, tha Tahiri ndaj subjekteve do të ketë penalitete financiare.

“Unë sot kam firmosur një udhëzim në zbatim të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, dhe ka të bëjë me të gjitha detyrimet që do kenë subjektet private për të ofruar më shumë siguri për gjithë qytetarët. Në zbatim të këtij udhëzimi, çdo kategori e subjekteve përkatëse do të marrë masa, shoqëruar me Policinë e Shtetit, deri më 28 Dhjetor. Dhe pas 28 Dhjetorit çdo inspektim i policisë do pasohet me sanksione financiare për ata që nuk marrin masat e sigurisë që duhet”, u shpreh Tahiri.

Ministri ka renditur se cilat janë subjektet dhe masat konkrete që duhet të marrë për rritjen e sigurisë publike në vend.

“Në bazë të këtij udhëzimi, subjektet që ruajnë e magazinojnë lëndë të rrezikshme – radioaktive, shpërthyese, helmuese, djegëse, plasëse apo piroteknike – duhet të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë; duhet të instalojnë kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e të dhënave të targave të mjeteve; duhet të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike.  

Subjektet që ushtrojnë aktivitetin e transportit publik të udhëtarëve, nxënësve, studentëve, autobusë, taksi, duhet të instalojnë në automjetet që shërbejnë për transportin e udhëtarëve sistem GPS; të instalojnë në ambientet e brendshme sistem me kamera të sigurisë. Ndërkohë që subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë natës, (si lokale nate, disko pub-e e kështu me radhë) detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Instalojnë sistem me kamera për leximin automatik të targave dhe ruajtjen e tyre, pajisin punonjësit e sigurisë në hyrjet e lokaleve të natës me detektorë. Kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike, ku përveç punonjësve në hyrje duhet të kenë patjetër dhe një punonjës për çdo 40-50 konsumatorë apo për çdo 25 metra katrorë.
Subjektet që disponojnë lojëra fati apo kazino detyrohen që të instalojnë kamera për leximin automatik të targave të automjeteve dhe ruajtjen e tyre. Instalojnë një sistem me kamera të sigurisë brenda mjediseve, pajisin punonjësit në hyrje të subjekteve me detektorë. Kontraktojnë shoqëri private të sigurisë, pra Polici Private. Njëkohësisht garantojnë instalimin e pajisjeve, nëpërmjet të cilave hyrja e qytetarëve në kazino dhe lojëra fati do të bëhet vetëm nëpërmjet identifikimit me pasaportë apo kartë identiteti. Të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet nga ora 23:00 (e natës) deri në  06:00 (të mëngjesit) detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë duke miratuar paraprakisht skemën e vendosjes së tyre nga komisariati përkatës. Subjektet që administrojnë ujësjellësit detyrohen të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë dhe njëkohësisht të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Institucionet arsimore publike, private të të gjitha niveleve detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë me rezolucion të lartë në ambientet e brendshme, në korridore dhe në perimetrin e objektit. 
Administratorët e stadiumeve, pallateve të sportit, kinema, teatër, salla koncertesh dhe muze detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë dhe të kontraktojnë shoqëri private. Administratorët e bankave të nivelit të dytë detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë, pajisin punonjësit në hyrje me detektorë, kontraktojnë polici private dhe lidhin sinjalin e alarmit me sallat e komandimit të Policisë së Shtetit, vendosin në hyrje të çdo banke sistem kafazesh për diversifikimin e hyrjes në mënyrë të kontrolluar. Subjektet e këmbimit valutor dhe ato të tregtimit dhe përpunimit të metaleve të çmuara detyrohen të instalojnë sisteme të kamerave të sigurisë së lartë, vendosin xhama antiplumb që ndan pjesën ku qëndron punonjësi që ofron shërbimin dhe pjesën ku mbahen vlerat monetare dhe ku i shërbehet klientit. Subjekte që administrojnë hidrocentralet, termocentralet publikë dhe privatë dhe nënstacionet elektrike detyrohen që të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë, pra policitë private. Administratorët e terminaleve, trageteve, aeroporteve, autobusëve, taksive dhe trenave detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, të instalojnë sistem me kamera të leximit automatik të targave të automjeteve dhe kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike. 
Qendrat Spitalore Universitare dhe Rajonale shëndetësore detyrohen të instalojnë sistem me kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike. Subjektet që administrojnë kënde lojërash publike, private të mbyllura, pra në ambientet e mbyllura, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Subjektet që kanë në pronësi dhe administrim qendra tregtare detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, të instalojnë një sistem me kamera për leximin automatik të targave të mjeteve dhe ruajtjen e tyre deri në dy muaj, kontraktojnë polici private, ndërtojnë një qendër kontrolli në ambientet e tyre, e cila ka lidhje të drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit. Ndërkohë përcaktojnë një person përgjegjës që duhet të mbajë kontakt permanent me Policinë e Shtetit. Administratorët e tregjeve publike dhe private detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë në vend dhe që për realizmin e veprimtarisë së tyre ekonomike në ambiente të hapur apa të mbyllura kanë mbi 50 punonjës detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe të kontraktojnë shoqëri private të sigurisë fizike. Të gjitha subjektet që gjatë realizmit të aktivitetit të tyre financiar kanë një xhiro prej më shumë sesa 10 milionë lekë detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë. Administratorët e parkingjeve publike dhe private të hapura apo të mbyllura instalojnë kamera të sigurisë së lartë dhe ndërkohë instalojnë kamera për memorizimin e targave të automjeteve në hyrje-daljet e objektit”, tha Tahiri, në fjalën e tij që mbajti para punonjësve të policisë, para godinës së ministrisë së Brendshme. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Pse më shikon?” kryetari i bashkisë rreh mësuesin dhe djalin e tij në mes të qytetit
Reagon djali i kryebashkiakut të Poliçanit: Ju tregoj të vërtetën e sherrit të babit me mësuesin »
Article Logic
Execution time: 0.01126503944397
array(1) { ["section"]=> string(107) "xhama-antiplumb-dedektore-dhe-kamera-gjithandej-urdhri-i-ri-i-tahirit-per-forcimin-e-sigurise-ne-vend-71436" }