Mark Gjon Kurti, xhaxhai i të ndjerit Aleksandër Kurti për vrasjen e të cilit po hetohet deputeti Mark Frroku, deklaron se ka zgjedhur rrugën e ligjit dhe jo kanunin. Mark Kurti që jeton në Itali rrëfen për gazetën ‘’Panorama’’ se nuk kanë zgjedhur të pranojnë benë e bërë nga familja Frroku.
‘’Kishim zgjedhur rrugën e drejtësisë ligjore për zbardhjen e çështjes dhe jo të kanunit’’, thotë xhaxhai i të ndjerit, duke i kërkuar drejtësisë shqiptare dhe asaj belge një hetim të ngjarjes së kësaj vrasjesje me profesionalizëm dhe pa paragjykime partiake.
Sipas Kurtit, pasi kanë varrosur nipin, në shtëpi u kanë ardhur 4 persona, ndër ta edhe babai I deputetit Frroku, për t’I sqaruar për ngjarjen.
“Pas varrimit të njeriut tonë të shtrenjtë kanë ardhur 4 persona, ku njëri nga këto ishte babai i Z.Mark Frroku dhe kërkuan të na informojnë në lidhje me ngjarjen e vrasjes. Me respekt për vendimin e tyre fisnik, ne familja Kurti zgjodhëm rrugën e ligjit dhe jo atë të kanunit, pasi ngjarja kishte ndodhur në Belgjikë. Kalojnë shumë vite në pritje të njohjes së të vërtetës nga Drejtësia e Belgjikës. Prapë në janar të vitit 2014, Mark Frroku me babain e tij dhe disa të tjerë kanë ardhur për të vërtetuar të vërtetën me be, për pafajësinë e tyre’’, thotë Mark Kurti, xhaxhai i të ndjerit Aleksandër Kurti, vrarë në Belgjikë më 1999.