Xhepa: “Tragjedi greke” me bankat në Greqi, s’preken depozitat e shqiptarëve por ndikim në Ballkan

Publikuar tek: ekonomi, më 09:54 30-06-2015 Xhepa: “Tragjedi greke” me bankat në Greqi, s’preken depozitat e shqiptarëve por ndikim në Ballkan Selami Xhepa

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet se ajo çka po ndodh në Greqi është një tragjedi e vërtetë greke, megjithëse nuk do prekë depozitat e shqiptarëve përveç ndonjë zhvlerësimi në rast të kthimit të dhramisë. Në një intervistë për  “Newsbomb” Xhepa thotë se “Nëse Greqia realisht do të dalë nga eurozona, pasojat do të jenë shumë më të rënda”. Sipas tij, një zgjidhje mund të ishte edhe një “dalje e kondicionuar” nga eurozona, pra të lejohej një dalje e përkohshme deri sa vendi të përgatitej realisht për një anëtarësim të merituar në eurozonë, pa falsifikuar statistikat.

Z. Xhepa, çfarë ndikimi ka për vendin tonë një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona?

Ajo çfarë po luhet këto ditë në skenën greke, është më së pari një tragjedi greke. Nëse gjatë kësaj jave arritja e një marrëveshjeje të momentit të fundit me klubin e kreditorëve nuk do të arrihet, atëherë dalja e Greqisë nga eurozona, përtej modaliteteve juridike, është një ngjarje e sigurtë, pasojat politike, ekonomike e sociale të së cilës është e pamundur të llogariten, por pa dyshim do ta dëmtojnë edhe më shumë shoqërinë, ekonominë dhe financat e këtij vendi fqinj. Por, në literaturën financiare njihet një term “efekti flutur”, sipas së cilës një flutur që përplas flatrat, të themi në Japoni, krijon një cunam përtej Paqësorit, në SHBA. Edhe vendet e vogla, nganjëherë edhe të padëgjuar, kanë potencialin që të krijojnë pështjellime edhe në ekonomitë përreth dhe madje në ekonominë globale. Ky ka qenë fati i tregjeve financiare në botën e pasviteve ’90. Në këtë kuptim, vërtet që tragjedia mund të luhet në Greqi, por pasojat e saj do të ndjehen edhe në vendet fqinj të Ballkanit, ku Greqia deri më sot ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm ekonomike e tregtar. Në planin afatshkurtër ndikimet pritet të jenë më të forta dhe do të vijnë kryesisht nga sektori financiar, ndërsa në një plan më afatgjatë mendoj se do të ketë një zbehje të rolit të Greqisë në ekonominë e Ballkanit.

 A rrezikohen depozitat e emigrantëve në bankat greke?

Depozitat e emigrantëve në bankat greke në Greqi i nënshtrohen legjislacionit financiar grek, dhe siç është e njohur, depozitat deri në 100,000 euro janë të garantuara nga vetë shteti, sipas Direktivës së BE-së që u rishikua pas krizës financiare të vitit 2008. Sidoqoftë, nëse Greqia i rikthehet përdorimit të ish monedhës së saj, dhrahmisë, sigurisht që kursi i këmbimit që do të zgjedhë qeveria do të jetë një monedhë e zhvlerësuar fortë, prandaj dhe vlera e kursimeve të depozituara në banka, të cilat ndoshta qeveria do të kërkojë t’i konvertojë në dhrahmi të zhvlerësua me qëllim lehtësimin e borxhit, do të dëmtohet rëndë. Pra, edhe depozitat e emigrantëve shqiptarë, njësoj  si edhe gjithë qytetarët grek, do të pësonin një humbje të ndjeshme të vlerës reale të kursimeve.

Po depozitat e shqiptarëve në filialet e bankave greke në Shqipëri?

Filialet e bankave greke në Shqipëri kanë patur një aktivitet kryesisht modest gjatë këtyre viteve dhe totali i portofolit të tyre është rreth 17% e tregut bankar. Veprimtaria e këtyre bankave ka qenë pothuaj tërësisht e orientuar nga tregu i brendshëm shqiptar – pra, kanë krijuar depozita nga kursimet e brendshme dhe kanë investuar brenda vendit. Gjendja e portofolit të veprimtarisë së tyre ka qenë fitimprurëse dhe niveli i kapitalizimit është në tejkalim të kërkesave limit që vendosin rregullat e mbikëqyrjes. Prandaj dhe në një sjellje racionale të agjentëve, mbetem i mendimit se nuk ka arsye për të qenë të alarmuar në raport me depozitat e vendosura në këto filiale. Depozitat edhe në Shqipëri janë të garantuara sipas legjislacionit tonë, por mbi të gjitha janë të garantuara nga vetë integritetit i punës së vetë bankave. Megjithatë, fjala “racionalitet” në kohë krizash ka nevojë për një definicion të ri, prandaj edhe ndërtimi i planeve të veprimit në rast skenari përkeqësues për stresin që mund të krijohet mbi këto filiale të bankave greke, është i nevojshëm. Komiteti i Stabilitetit Financiar duhet ta shqyrtojë stituatën e krijuar dhe të ndërtojë një qasje të mirëmenduar në varësi të zhvillimit të ngjarjeve.

 Z. Xhepa çfarë masash duhet të marrë shteti shqiptar, nëse dalja e Greqisë nga Eurozona bëhet fakt?

Siç e thashë, Komiteti i Stabilizimit Financiar duhet të studiojë gjendjen dhe të ndjekë dinamikat e zhvillimit të ngjarjeve që tashmë janë bërë shumë intensive, në mënyrë që të jetë e mirëinformuar për marrjen e vendimeve që mund të jenë të nevojshme. Mendoj gjithashtu që autoritetet duhet të vendosin edhe një komunikim më të ngushtë me Bankën Qendrore Europiane dhe institucionet europiane për të dakortësuar veprimet që mund të jenë të nevojshme të ndërmerren.

 Cili është komenti juaj rreth situatës në Greqi? Ka zgjidhje të tjera të mundshme?

Gjendja në Greqi mund të thuhet pa frikë se është dramatike. Ankthi sundon jo vetëm në tregjet financiare të cilat e reflektuan edhe sot në Europë me rënje të indekseve të bursave – por edhe tek të gjithë kursimtarët depozitat e të cilëve janë të bllokuara nga bankat. Kontrolli mbi kapitalet që ka vendosur tashmë qeveria greke është i nevojshëm për të parandaluar një falimentim total të të gjithë sistemit financiar të vendit, por është e panjohur se çfarë mund të ndodhë në momentin kur bankat do të rihapen ndoshta të hënën e ardhshme për biznesin e përditshëm. Zgjidhjet janë debatuar gjerësisht dhe me sa duket opsionet kanë mbetur vetëm “merr ose lëre”, nga të dy palët. Nëse Greqia realisht do të dalë nga eurozona, mendoj se pasojat do të jenë shumë më të rënda se sakrificat që i kërkohen këtij vendi të bëjë në kontekstin e negociatave me kreditorët. Një zgjidhje mund të ishte edhe një “dalje e kondicionuar” nga eurozona – domethënë, të lejohej një dalje e përkohshme deri sa vendi të përgatitej realisht për një anëtarësim të merituar në eurozonë, pa falsifikuar statistikat. Kjo dalje sigurisht do të duhej patjetër të shoqërohej edhe me masa mbështetëse financiare nga vetë BE-ja. Në planin politik ky mund të jetë një opsion që shmang efektin “domino” të mundshëm që mund të shoqërojë vendet e tjera në raport me euron, dhe ruan kohezionin e familjes europiane.

Mendoni se mund të ketë rikthim të dhramisë?

Ky mbetet i vetmi opsion në rast se Greqia del nga eurozona. Por, siç e nënvizova, kostot e rikthimit tek dhrahmia, në kushtet e emergjencës, siç mund të precipitojnë ngjarjet, do të ketë pasoja shumë më të rënda për popullsinë dhe ekonominë greke, gjë që mund të sjellë edhe më shumë destabilitet social në këtë vend.

                                                                                                                                                                            A.XH

 

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.056825876235962
array(1) { ["section"]=> string(100) "xhepa-tragjedi-greke-me-bankat-ne-greqi-s-preken-depozitat-e-shqiptareve-por-ndikim-ne-ballkan-14959" }