Zbardhen mesazhet e gjyqtarit që i kërkonte seks gruas që do ndante. ‘’Zogu’', qe një nga epitetet që i vinte gjyqtari gruas që ngacmonte seksualisht. ''Mos reflekto mendësi fshatareske'', ishte metoda që përdorte për ta bindur gjyqtari, megjithse ishte i bindur që ajo ishte ''tip i vështirë'' sepse nuk po i pranonte. ''Je tepër femërore'', qe një nga komplimentet që gjyqtari i bënte gruas në hall, që po ndahej nga bashkëshorti.
Gjyqtari u shkarkua nga detyra dje, teksa Prokuroria ka hetuar thellë mbi skandalin në Gjykatën e Beratit, ku është përfshirë Shyqyri Çobo dhe gruaja me iniciale I.T, e cila po ndahej nga i shoqi. Ka qenë pikërisht një takim i tyre në kafe, që i ka vënë kapakun gjithçkaje. Në seancën e parë të gjyqit, gjyqtari ka pikasur gruan dhe i është ofruar asaj që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbyen numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon asaj, ku pasi i thotë se i ka gjetur avokat, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”. Më pas mesazhet e Çobos ndaj saj kanë qenë të panumërta. Gruaja megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë dhe për këtë arsye e denoncoi.