Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme në rrugën "4 Dëshmorët" dhe afërsi të gjimnazit “Partizani” në kryeqytet.
Sipas policisë, i plagosur ka mbetur aktori Mishel Prela, ose ndryshe i njohur si Mishel Manoku (mbiemër të trashëguar nga njerku i tij), ndërsa është vënë në pranga autori i dyshuar Miklar T., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Fillimisht u raportua nga policia se quhej Edison Delian, nisur edhe nga ID që i është gjetur në portofol.
Më pas, policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka saktësuar se kemi të bëjmë me plagosjen e Mishel Prelës/ Manokut, i cili kishte paraqitur dy identitet të rreme para bluve të Tiranës.
Bëhet fjalë për aktorin Manoku, i cili ka luajtur ne filmin “Saimir”, si djali i Xhevdet Ferrit.
Manoku nuk është i panjohur për policinë, pasi njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë, çka lindin dyshimet se përse i riu ka ndërruar emrin dhe prezantohej me identitete të rreme.
Sipas të dhënave të para, i riu ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “plagosje” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”.
Sipas policisë, aktori ka marrë dy plagë zjarri dhe i është nënshtruar një operacioni mbrëmë në spital, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Aktori Mishel Manoku
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 21.07.2017, specialistët për hetimin e krimeve kundër jetës arrestuan shtetasin :
- Miklar T., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 20.07.2017 rrugën "4 Dëshmorët", dyshohet të ketë plagosur me armë zjarri shtetasin M. P., 31 vjeç, në pjesën e barkut dhe gjymtyrë i cili aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga kqyrja dhe veprimet proceduriale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 8 gëzhoja të qitura nga një armë zjarri, e llojit pistoletë.
U referuan materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit M.T., për veprën penale "Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtje pa leje" parashikuar nga neni 78/22/25 dhe 279 të Kodit Penal.
Grupit hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.