Durim Keçi i arrestuar pak muaj më parë me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë është liruar pasi Gjykata e Durrësit ka njohur vendimin penal të Gjykatës së Xhenovës.
Gjykata e Durrësit ka vendosur të njohë edhe amnistinë në shtetin italian dhe periudhën që ai ka qëndruar në paraburgim në këtë shtet. Kështu Durim Keçit i është ulur thuajse e gjithë masa e dënimit duke i mbetur vetëm 1 muaj, periudhë që gjithashtu e ka ezauruar.
Pala Italiane ka kërkuar konvertimin e dënimit me 8 vite e 9 muaj burg të dhënë nga gjykata e Xhenovës për Durim Keçin, të arrestuar nga policia në tetor të vitit 2017. Por në 5 janar 2018, gjykata e Durrësit ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit Gëzim Veizi, duke i njohur dënimin Italian me 8 vite e 9 muaj burgim.
Por në këtë vendim gjykata e Durrësit shprehet se Durim Keçit: “…i zbritet periudha e dënimit të vuajtur në paraburgim në itali, nga data 25.05.2002 deri më datë 19.12.2005, i ulet dënimi për efekt të amnistisë Italiane prej 3 vjet dhe i ulet periudha e paraburgimit e vuajtur në Shqipëri nga momenti arrestimit për llogari të ekstradimit në Itali, datë 11.10.2017…”.