Ish kryetari i Gjykatës së Kosacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi ka kujtuar sot 21 Janarin e vitit 2011 ku humbën jetën 4 persona, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Brozi e quan turp faktin që urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi shtetëror akoma nuk janë hetuar e dënuar, ndërkohë që pretendon se ata janë deputetë në Parlament dhe disa edhe drejtues partish politike.
Zef Brozi kërkon që organet e reja të Reformës në Drejtësi duhet t’i japin fund pandëshkueshmërisë së autorëve.
'Sot u mbushën 8 vjet nga dita e zezë e 21 Janarit 2011 kur akti terrorist shtetëror gjakosi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke vrarë katër protestues paqësorë e të paarmatosur: Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, duke plagosur dhjetra protestues të tjerë mes të cilëve edhe gazetarin Fatos Mahmutaj, i cili tani është azilant politik në Belgjik. Për turpin e organeve të Drejtësisë (më saktë –organeve të Padrejtësisë) urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi shtëtëror akoma nuk janë hetuar e dënuar, përkundrazi, ata janë deputetë në Parlament dhe disa edhe drejtues partish politike. Ata shijojnë qëtësisht frutet e korrupsionit dhe krimeve të tyre dhe po bëjnë gjithcka munden të pengojnë Reformën në Drejtësi dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Organet e reja të Reformës në Drejtësi duhet t’i japin fund Pandëshkueshmërisë së krimit e korrupsionit të pushtetarëve e ish pushtetarëve të lartë të cdo kohë, pra edhe të aktit terrorist shtetëror të 21 Janarit', shkruan Brozi në rrjetet sociale.