‘Zëri i Popullit’, dëshmitar dhe kronikan i historisë së Shqipërisë në tri epoka

Publikuar tek: kulture-art, më 19:47 25-08-2019 ‘Zëri i Popullit’, dëshmitar dhe kronikan i historisë së Shqipërisë në tri epoka Luan Rama

Nga Luan Rama

 Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, meritonte të kujtohej e të nderohej sot edhe 25 gushti i vitit 1942, dita kur 77 vjet më parë, doli numri i parë i gazetës ‘Zëri i Popullit’.

 Më së pari, meritonte nderimin e Partisë Socialiste, sepse ajo nuk do të mund të kishte shpëtuar në transformin e vet si pasardhëse prej Partisë së Punës në kohën e shembjes së të shkuarës, pa gazetën ‘Zëri i Popullit’.

E mandej, meritonte vëmendjen dhe kujtesën e historianëve, të publicistëve, gazetarëve e reporterëve, veteranëve të luftës e të shtypit, të të gjithë atyre që kanë punuar në të dhe që e kanë dashur.

Sepse më 25 gusht 1942, Luftës së madhe çlirimtare Antifashiste të popullit shqiptar, ju bashkua edhe ‘Zëri i Popullit’, gazeta partizane dhe luftëtare e lirisë, shkolla e shtypit revolucionar e përparimtar, fjala e zjarrtë e një populli që e bashkoi Shqipërinë me koalicionin e madh antifashist botëror!

Përgjatë gjithë ekzistencës së vet, ‘Zëri i Popullit’ ishte dhe mbeti gazeta e vetme ku publicistika shqiptare me të gjithë llojet dhe nënllojet e veta, njohu larminë më të pasur dhe cilësisht në planin profesional, arritjet më të spikatura.

‘Zëri i Popullit’ ka historinë e tij, padyshim të lidhur me Shqipërinë e kohës së vet; me lavdinë dhe dramat, me profesionalizmin dhe dogmatizmin, me të vërtetat dhe gënjeshtrat si reflektim i propagandës instrument i të cilës qe, me heronjtë dhe martirët, me kolosët e publicistikës shqiptare dhe të persekutuarit e regjimit ndaj të cilit shërbeu më gjatë, por që fatalisht u mbyll për t’u vrarë e fshirë, si një shenjë historie e papërsëritshme në shtypin shqiptar. Si një histori që nis me Enver Hoxhën si kryeredaktorin e saj të parë në zjarrin e luftës partizane, e mbyllet me Edi Ramën në ‘zjarrin’ e PPP-ve, të krimit, korrupsionit e kanabizimit e degradimit të shtetit, që urdhëroi mbylljen e saj!

Sot, në ditën e ‘Zërit të Popullit’, si njëri prej kryeredaktorëve të gazetës, dua të shpreh nderim e mirënjohje për të gjithë ata që qoftë edhe një ditë të vetme punuan e dhanë kohë, mund e kontribut në të, pavarësisht pozicionit që kanë patur prej nëpunësit më të thjeshtë e deri në kryeredaktor, i bindur se të gjithë ata që jetojnë, ndjejnë nderim dhe respekt, por edhe krenari që qenë në ‘Zërin e Popullit’.

E, për të gjithë ata që nuk jetojnë, një homazh nderimi, si mirënjohje për emrin që lanë në ‘Zërin e Popullit’.

Nderim dhe mirënjohje sot në ditëlindjen e ‘Zërit të Popullit’ edhe për të gjithë ata që e lexuan, pavarësisht në e zgjodhën, në e pëlqyen apo nëse e refuzuan.

‘Zëri i Popullit’ ishte dhe mbetet tribuna më jetëgjatë dhe me tirazhin më të madh e shtypit shqiptar, por edhe gazeta me më shumë gazetarë, kryeredaktorë e bashkëpunëtorë të vrarë, pushkatuar dhe persekutuar nga regjimi totalitar.

Qoftë edhe për këtë fakt, duhej përkujtuar me nderim!

Sepse sot është ditëlindja e ‘Zërit të Popullit’, dëshmitar dhe kronikan i historisë së Shqipërisë në tri epoka.

Zeri.jpg

Redaksia e gazetes 'Zeri i Popullit' gjate periudhes se regjimit monist 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.007361888885498
array(1) { ["section"]=> string(84) "zeri-i-popullit-deshmitar-dhe-kronikan-i-historise-se-shqiperise-ne-tri-epoka-176311" }