‘Zgjedhjet e Kosovës na përmiresuan biografinë elektorale të shqiptarëve’, ish-ministrja e Ramës komenton proçesin e Kosovës

Publikuar tek: aktualitet, më 13:40 10-10-2019 ‘Zgjedhjet e Kosovës na përmiresuan biografinë elektorale të shqiptarëve’, ish-ministrja e Ramës komenton proçesin e Kosovës Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, kandidatë për kryeministër të Kosovës

Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro lavdëroi zgjedhjet e parakohshme të Kosovës dhe daljen në pah të liderëve të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kandidates për kryeministre të LDK-së Vjosa Osmanit.

Në mendimin e saj, Kumbaro e cilësoi proçesin elektoral si ‘’përmirësim të biografisë zgjedhore të shqiptarëve, e cila ka shumë njolla të errëta’’.

Ajo shprehu admirim dhe për dy kandidatët për kryeministër të Kosovës Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, të cilët përfaqësojnë brezin e ri të politikanëve shqiptarë. Kumbaro e quajti si emancipim të politikës së Kosovës nxjerren në pah të figurës femërore në skenën politike, që përfaqësohet nga Vjosa Osmani. Ndërsa për Albin Kurtin ajo vlerësoi qëndrimin e tij opozitar dhe karakterin prej lideri të fortë.

Deklarata e Mirela Kumbaros për zgjedhjet e fundit në Kosovë:

‘Kosova pa krahasim dhe një grua’

Kam ndjekur me shumë vëmendje procesin zgjedhor të 6 tetorit dhe mbylljen e tij në Kosovë. Vijoj me kërshëri pozitive të ndjek orët dhe ditët pas.

E frenova disi thirrjen time publike të të njëjtit entuziazëm që kaploi rrjetin, për t’i dhënë vend vëzhgimit siç mendoj se duhet bërë kur fenomene të reja të rrethojnë në habitatin tënd, sepse jo fort të zakonta janë kësi ngjarjesh në skenën politike shqiptare por edhe ballkanase.

Ndaj ngazëllimin “xheloz” të shumë miqve e kolegëve të mi këtej Morinit, për modelin sfidues që na dhanë bashkëkombasit se si mund të bëhen zgjedhje të mira në Ballkan; se si mund të shkojë një e shtunë e heshtjes zgjedhore dhe një e djelë e kutive të votimit, pa asnjë incident, pa asnjë fyerje publike dhe pa asnjë akuzë qytetarësh digjitalë që helmon dynjanë.

Ndaj respektin admirues të mendjeve të lira për subjektin politik humbës, -mjaftueshëm të akuzuar e të anatemuar për ta bërë agresiv e refuzues, siç jemi mësuar të shohim se ndodh në këto anët tona,- i cili, vetëm pak orë pas njohjes së rezultatit, me qetësi, të paktën publike, deklaroi daljen në opozitë dhe i hapi krahun koalicionit fitues.

Edhe më të ndjeshme e bën simpatinë tonë për kryeministrin në detyrë Haradinaj, -me një pozitë krejt të pashoqe për shkak të vetëvënies së tij në dispozicion të Gjykatës Speciale,- fakti që ai mori përsipër dhe realizoi me sukses garantimin e një procesi zgjedhor për t’u pasur zili.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, bashkëkombasit tanë të Kosovës, në një shtet shumë të ri dhe me demokraci edhe më të re e më të brishtë se sa Shqipëria, jo vetëm ishin shembullorë, por edhe duhen falenderuar se na përmirësuan biografinë tonë elektorale kombëtare, me jo pak njolla të errëta në këto dekada. Për këtë merita është, as më shumë e as më pak, e kosovarëve dhe e Kosovës multietnike!

Të dielën e fundit kosovarët votuan qartë për një Kosovë të pakapur, sic deklarohet dhe për çka fitoi Lëvizja Vetëvendosje nën drejtimin e Albin Kurtit , si dhe për një leader të re grua si Vjosa Osmani, fytyrën e të cilës duan t’ia japin Kosovës.

Vjosa R. Osmani është, sipas mendjes time, gjëja më e mirë që po i ndodh Kosovës në këto kohë ndryshimesh demokratike. Theksoj Vjosa Osmani dhe jo thjesht kandidatja për kryeministre e LDK. Një grua që bën ndryshimin, duhet lënë ta bëjë atë në vijim.

As unë dhe askush këtej Morinit nuk ka dhe nuk duhet t’i japë mend e mësime Kosovës e politikës së saj, ndërkohë që secili ka hapësirë të mësojë nga gabimet e të arriturat e njeri-tjetrit.

Thënë kjo, protagonizmi femëror, profili rinor, nxjerrja në front të parë si kandidate për kryeministre e Vjosa Osmanit përmes vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK, dhe evolucioni i kësaj partie drejt portretit inteligjent e vështrimit të guximshëm e plot energji të Vjosës, është një leksion emancipimi që si shqiptare më jep shpresë, si grua më bën krenare, si politikëbërëse më bën të mendoj se reformimi dhe demokratizimi i brendshëm i formacioneve tradicionale politike nuk është mision i pamundur, përkundrazi. E kërkoi koha, e kërkoi Kosova, e konfirmoi mjeti më demokratik, ai i votës.

Është në interesin jo vetëm të Kosovës por edhe të të gjithë shqiptarëve ky ndryshim që ngjall shpresë. Askush prej nesh, dhe me ç’lexoj në rrjete, sidomos populli i Kosovës nuk e fsheh padurimin për të prekur konkretisht përkthimin e teorive meritore të VV në reforma dhe aksione konkrete.

Albin Kurti është në vështrimin tim jo vetëm një opozitar i rrallë, por edhe një udhëheqës i fortë, që ka kaluar si askush sprovat e guximit, të qëndresës, të bindjes në parimet e pozicionet e veta për të cilat ka tejshkuar me sukses edhe spiralet e seleksionit politik brenda dhe jashtë partisë së tij.

Cilësi që do të duhet tashmë t’i kthejë në vegla efikase për një qeverisje sa më afër pritshmërive, duke e ditur se midis ëndrrave dhe projekteve të dëshiruara të opozitarit apo aktivistit civil dhe detyrës komplekse dhe historike të udhëheqësit të qeverisë, ka një hendek të madh mundësish, ekulibrash, prioritetesh dhe vendimmarrjesh, hendek që duhet të mbushet duke filluar që sot, që Albini duket se konfirmohet si kryeministri i afërt i Kosovës, jo vetëm se e thotë VV por sidomos në respekt të rregullit numerik demokratik të votës (qoftë edhe me presje dhjetore ) sipërore të Partisë së Vetëvendosjes.

Dëgjova me shumë interes intervistën e Albin Kurtit në KTV, dhe nuk mund të mos admiroja qetësinë dhe qëndrueshmërinë në premtimet e veta zgjedhore, por ishin vetëm të tijat.

Koha e analizës së argumenteve elektorale mbaroi, ndërsa është ende herët për të komentuar rezultatet e programeve me të cilat do të qeveriset.

Por do të presim, edhe më me durim e shpresë, se vendimarrjet dhe aksionet qeverisëse që do të vijojnë, do të jenë një pasqyrë e padeformuar e bashkëqeverisjes dhe e kolegjialitetit me LDK gjithaq e merituar në kuptimin e shprehjes së votës popullore, thuajse njësoj për të dy këto parti.

Dua të theksoj se Vjosa, por edhe Albini, i përkasin brezit tjetër të politikës, ndonëse siç thotë Vjosa Osmani “askush s’mundet dikush me më thënë je e re, pas 20 vjetësh kontribut në LDK”.

Megjithatë, për nga mendësia, formimi, karakteri dhe objektivat, ata janë brezi tjetër.

Është një cilësim mbushur me përgjegjësi, me përgjegjësinë e së ardhmës së Kosovës që do t’u lihet fëmijëve të saj

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022938013076782
array(1) { ["section"]=> string(128) "zgjedhjet-e-kosoves-na-permiresuan-biografine-elektorale-te-shqiptareve-ish-ministrja-e-rames-komenton-procesin-e-kosoves-181507" }