ZGJEDHJET PËR DREJTOR ÇMENDINE!

Publikuar tek: pa-stres, më 11:10 13-04-2019 ZGJEDHJET PËR DREJTOR ÇMENDINE!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al

Spitali i ri psikiatrik, është gjigand. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, një spital ka më shumë shtretër sesa shumatorja e të gjithë krevateve të qytetarëve në shtëpitë e tyre. Në këtë spital mund të shtrohen të gjithë kryeqytetasit njëkohësisht, madje edhe shtetas të huaj të sëmurë mendorë, të cilëve ky spital u duket më i mirë sesa çmendinat në vendet nga vijnë.

Një herë në katër vite, pacientët e spitalit zgjedhin drejtorin e tyre. Si në çdo periudhë parazgjedhore, edhe kësaj rradhe, pacientët janë të ndarë në dy grupe, ata që mbështesin drejtorin aktual dhe ata që janë kundër.

Grupi i mbështetësve mendon se drejtori është një njeri si ata, pra jo i sëmurë, i ndershëm, i ndjeshëm, i drejtë, punëtor, që përpiqet për të mirën e të gjithëve në atë spital. Godinat e reja shumëkatëshe që u ndërtuan tek lulishtja e spitalit, ia shtonin atij hijeshinë. Pemët e reja që drejtori kishte mbjellë, një ditë do të bënin gjethe të mëdha dhe pacientët do të mund të fusnin kokat në hije në mënyrë që të mos u binte pika e diellit mbi kokë dhe të çmendeshin! Për më tepër, në asnjë çmendinë të Botës, nuk ishte parë një shesh aq i madh ku të sëmurët shëtisnin grupe grupe, madje më të guximshmit ngjiteshin deri në majë të sheshit, që ishte plot 3 metra i lartë. Përveç kësaj, ata kishin shpëtuar edhe nga vizitat e familjarëve, të cilët nuk kishin ku të parkonin makinat brenda spitalit, prandaj nuk vinin fare. Të gjitha këto për meritë të drejtorit aktual. "Kur gjërat ecin kaq mirë, pse ta ndërrojmë drejtorin?"

Grupi tjetër i pacientëve, thotë se ata të grupit që mendon se drejtori po punonte mirë, janë më të çmendur se ata vetë. Ata janë aq të marrë sa nuk e kuptojnë se drejtori ua ka me të futur. Nuk e kuptojnë që ky drejtor që ditën bën sikur punonte për ta, natën, kur të gjithë të çmendurit i zënë gjumi duke dëgjuar drejtorin në televizor, luan me doktorët; doktorët e poshtër që u japin ilaçe të skaduara, që ata të mos shërohen kurrë dhe të mos dalin kurrë nga ajo çmendinë.

Sipas tyre, ka ardhur koha që çmendinën ta drejtojë një drejtor i ri.

Në këtë situatë, tek porta e madhe e çmendinës shfaqet një makinë luksoze. Shoferi zbret dhe hap derën nga ana tjetër. Nga makina del një "kollos"!

"Unë jam Testikua, më pëlqen dhe dua që të më votoni për drejtor të spitalit tuaj!"

Për disa minuta, pllakos një heshtje. Të çmendurit tundohen për një moment të gjatë nga kostumi i tij i shtrenjtë, nga syzat e tij skeletarta dhe sidomos nga makina e tij luksoze; të çmendurit kriterin e parë të vlerësimit të dikujt, kanë gjithmonë makinën e tij.

Për mosçudi, pati një lloj pëlqimi me shikim të parë, derisa kryetari Bordit të Pacientëve, bën një hap përpara dhe i tha:

"Ti e di që ne këtu jemi të gjithë të sëmurë mendorë. A mendon ti se je mjaftueshëm i çmendur, për të qenë drejtori ynë?"

"Dëgjo o bir, mua më ka përzënë nga Kryeçmendina, vetë Kryeiçmenduri, me pretendimin se isha i çmendur! A nuk ju mjafton kjo?!"

Të sëmurët kanë heshtur dhe janë vënë në mendime. Dëgjohet vetëm e qeshura e mbytur e drejtorit, nga zyra e tij!

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « PLANI ORIGJINAL I GRABITJES NË RINAS!
»
Article Logic
Execution time: 0.0065569877624512
array(1) { ["section"]=> string(37) "zgjedhjet-per-drejtor-cmendine-160238" }