Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se 24 pasuri të konfiskuara të krimit janë “zhdukur” gjatë viteve 2016 dhe 2017. Një gjë e tillë është konstatuar pas auditimit të KLSH-së në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për periudhën kohore 2016-2017.
Sipas “Gazeta Shqiptare” në raportin që mban firmën e kreut të KLSH-së Bujar Leskaj mësohet se gjatë auditimit janë konstatuar mangësi dhe parregullsi në procedurat e dhënies me qira të pasurive që lidhen me mosaplikimin e saktë të elementëve të vlerës së pasurisë që jepet me qira, procedura jo të sakta gjatë veprimtarisë së administrimit të pasurive, që lidhen me mangësi në procedurat e ndjekura për administrimin, inventarizimin dhe regjistrimin.
Duke iu referuar datës së marrjes në dorëzim të pasurive grupi i auditimit konstatoi se, ka një diferencë midis pasurive të raportuara në raportin e aktivitetit të agjencisë dhe raportimit mujor të administratorëve të pasurive. Kështu rezulton një diferencë në numrin e pasurive të administruara, prej 15 pasurish për vitin 2016 dhe 39 pasurish në tetë mujorin e vitit 2017.
Në raportin e KLSH-së, thuhet se diferencat e tilla, flasin për një mosrakordim të vazhdueshëm midis administratorëve, si dhe mosmbajtje të të njëjtit konvencion regjistrimi, pasi koordinatorët inventarin e pasurive e ndërtojnë në bazë të vendimeve të fundit dhe pasurive të marra në administrim, duke bërë një fshirje të ruajtjeve të mëparshme të pasurive për të cilat ka dalë vendimi i revokimit, si dhe të mos përfshirjes në të të pasurive të pa marra ndonjëherë në administrim
Audituesit e KLSH-së vënë në dukej faktin se punonjësit e njësisë nuk njohin mirë ligjin. “Në opinionin tonë, AASPK përveç mangësive të identifikuara më sipër dhe të trajtuara në Raportin e Auditimit , menaxhimi financiar dhe sistemi i kontrollit brend-shëm në AAPSK-së nuk ka funksionuar si duhet, pasi punonjësit nuk kanë njohuri të plota mbi ligjin dhe për pasojë, drejtuesit nuk kanë mundur të bëjnë, siç duhet vlerësimin e efektivitetit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në këtë institucion i cili të jetë efektiv për të garantuar përputhshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë aktivitetin e institucionit”-thuhet në raport.