“Nuk ka teserë feje, ashtu siç ka teserë partie, por meqënëse po flasim, unë momentalisht shkoj në kishë dhe ndez qiri”, thotë shkrimtari Visar Zhiti, duke u ndjerë i tronditur dhe i pikëlluar pasi Kisha Katolike doli publikisht kundër emrit të tij për ambasador të Shqipërisë në Vatikan, me arsyetimin se është mysliman.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Zhiti shprehet se vendimi i Kishës ështe absurd, në një kohë ku Papa Françesku vjen në Shqipëri dhe lavdëron harmoninë fetare si emblem e një populli. “Në këto kushte një reagim a shkrim i tillë mu duk fundamentalist”, tha Zhiti.
Visar Zhiti tregon se gjatë jetës së tij ka punuar dhe jetuar mes priftërinjve, ka botuar artikuj në revista katolike, e shprehet se djalin e tij e ka quajtur Altjon, nga shqipja e vjetër me kuptimin “Ati Ynë”.
“M’u duk shkrim për një inkuizicion. Së pari, ai që ka folur, nuk e di në ka folur, në emër të vetes, a të kujt tjetër. Unë nuk e njoh dhe nuk e di a më njeh. Po patjetër që nuk më njeh. Ai nuk e di çfarë jam unë, mysliman, apo katolik, apo bektashian, apo laik”, tha Zhiti për GSH.