Është pushtuar nga flakët një pallat pranë Ambasadës Amerikane.
Paneli elektrik i shkallëve u përfshi nga flakët duke u përhapur në të gjithë pallatin. Autoshkalla për daljen e banorëve nga banesat është vënë menjëherë në funksion për të evakuuar banorët të cilët ishin bllokuar brenda pallatit. Tymi i përhapur në të gjithë pallatin e vështirësoi nxjerrjen e banorëve që dolën nëpër ballkone duke kërkuar ndihmë. Pas kësaj, u bë e mundur evakuuimi i tyre nga banesat.
Drejt vendngjarjes u nisën dy makina zjarrëfikëse dhe policia të cilët asistuan në operacionin për lokalizimin e vatrës së zjarrit. Mësohet se nuk ka të lënduar dhe se situata është vënë tashmë nën kontroll nga policia dhe forcat e zjarrëfikseve.
Banorët kanë akuzuar firmën e ndërtimit të pallatit për cilësinë e dobët të punës sa i takon instalimeve në të gjitha katet e pallatit. Kabullat janë të paizoluar, ç'ka sjell rrezik të lartë edhe për përsëritjen e një tjetër situate të ngjashme.
"Ky është standarti i cilësisë me të cilën ka punuar firma. Janë të zbuluar kabullat, një shkëndijë e vogël shkakton flakë në gjithë pallatin, nuk ka dalje emergjence dhe ne ndjehemi të rrezikuar në çdo moment. Kabullat janë të paizoluara dhe rreziku është i mundshëm në çdo herë. Nuk ka hapësira të mjaftueshme që të futen zjarrëfikset apo policia", është shprehur njëri nga baorët e pallatit duke treguar para kamerave kabullat e zbuluar e të paizoluar të pallatit.