Zoti i mbroftë maturantët tanë!

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:17 18-05-2020 Zoti i mbroftë maturantët tanë!

Nga Artan Fuga

Përveç se u lejuan hapjet e mejhaneve, restoranteve, bareve etj., ku në fakt ai që do shkon, ai që do nuk shkon, pra e ka kokën e vet në duar, u urdhëruan të vijnë në shkolla fizikisht mijra maturantë dhe qindra mësues.

Në ndryshim nga klientët e mejhaneve, bareve, restoranteve, maturantët janë të detyruar të vijnë fizikisht në mësim sepse kërcënohen me humbjen e vitit shkollor dhe pastaj të studimeve universitare!

Pra për sigurinë e shëndetit të tyre dhe të mësuesve e ka përgjegjësinë vetëm shteti, askush tjetër!

Uroj që gjithçka të shkojë mirë për shëndetin e të rinjve, por nuk rri pa thënë se me jetën e tyre dhe me shëndetin e tyre është rrezikuar shumë.

E para sepse virusi vrastar është ende nëpër këmbë dhe askush nuk e di se çfarë bëhet me të. Pra, të gjithë rrezikojmë infektimin nga çasti në çast. Masat higjenike gjoja të distancimit social janë pesë me hiç në shkolla sa kohë që maturantët shkëmbejnë fletore, libra, kalema, kalkulatriçe, telefona, dhe gjithçka tjetër.

E dyta sepse asnjë masë nuk shohim për teste për mësuesit ose vetë maturantët për të parë sesi është gjendja e tyre shëndetësore, pra janë krejt të pambrojtur nga përhapja e epidemisë masivisht nëse dikush prej tyre, ose edhe roja e shkollës do të ishte me virus.

E treta përqendrimi i maturantëve në shkolla dhe pastaj drejt familjeve është aq i madh saqë virusi, larg qoftë, do të mund të përhapej fort.

E katërta, asnjë nxitim nuk kishte. Në fillim duhej bërë hapja e shoqërisë, e sektorëve të ekonomisë prioritare, dhe vetëm pas dyjavësh, mund të vazhdohej me maturantët, nëse do të ishte e domosdoshme. Por, kështu, të përdoren maturantët për test nëse i rrezistojnë ose jo virusit, më duket krejt e papranueshme. Aq më shumë se në shtator mund të organizoheshin provime dhe në nëntor mund të nisnin studimet universitare vitet e para të arsimit të lartë. Në siguri të plotë!

Prandaj unë them se kjo nuk ka lidhje fare me interesin e maturantëve, por i rrezikon kot ata dhe prindërit e tyre. Të gjithë shoqërinë.

Më një anë flitet për zona të kuqe, në anë tjetër hapen shkollat e mesme. A thua se zonat e kuqe janë me popullësi komplet të infektuar dhe atje mes të sëmurësh mund të ketë komunikim sikur të ishin lagje leprozësh.

Harrohet se edhe në zonat e kuqe ka popullësi të painfektuar që duhet mbrojtur dhe jo të kufizohemi te moskomunikimi mes zonave të gjelbërta dhe atyre të kuqe.

Me përgjegjësi qytetare unë e konsideroj këtë masë të pastudjuar, me rrezik shumë të lartë dhe në kundërshtim me praktikën e shumë vendeve të tjera!

Unë uroj që gjithçka të shkojë mirë sepse poqese bën vaki që një grup maturantësh bie viktimë e virusit, atëhere përgjegjësinë e urdhëruesve për fatin e tyre nuk do të ketë lumë fjalësh që ta lajë!

Le të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë!

Habitem sesi opozita nuk shprehet për këtë! Eshtë dakord, të na sqarojë, apo nuk është dakord?

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0090548992156982
array(1) { ["section"]=> string(37) "zoti-i-mbrofte-maturantet-tane-206855" }