Bernard Berisha është largimi i radhës në skuadrën e Skënderbeut. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi korçar, që njofton për largimin e kosovarit.
Destinacioni i Berishës është pikërisht Rusia, aty ku lojtari ka firmosur një kontratë me klubin e Anzhit. 3.5 vjet është kontrata që lojtari shqiptar ka firmosur sot me rusët. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Anzhi dhe besohet se kjo lëvizje është kryer për shumën e 600 mijë eurove.
Një tjetër detaj interesant në këtë lëvizje është fakti se Rusia nuk e njeh pavarësinë dhe dokumentat e Kosovës, vendi i origjinës së Berishës. Mendohet se lojtari ka përdorur dokumentat shqiptare për të kryer këtë transferim.
Anzhi vitin e kaluar arriti të renditej në vendin e dytë në kampionatin rus, por këtë vit performanca ka qenë e dobët. Skuadra aktualisht pozicionohet në vendin e 14 nga 16 që janë gjithsej dhe merkato e Janarit është parë nga drejtuesit si një mundësi e mirë për të dalë kriza.