Është kthyer në çështjen më të bujshme politike përplasja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për kryetarin e Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.
Lidhur me akuzën e Ramës madje ka reaguar ashpër edhe Doris Pack përmes një statusi në rrjetet sociale duke akuzuar Ramën se ka fabrikuar histori kundër Krichbaum. Ky i fundit është shprehur skeptik në lidhje me çeljen e negociatave për vendin tonë.
Sot madje Krichbaum i ka dhënë një tjetër “shuplakë” kreut të qeverisë. Ndërsa publikon foton nga Kuvendi në seancat e kaluara kur Rama u përlye me miell, zyrtari gjerman komenton:
“Në këtë fazë, unë besoj se negociatat e pranimit me Shqipërinë janë të parakohshme”, shkruan politikani.
“Së pari dhe më kryesorja, korrupsioni dhe nivelet e larta të krimit të organizuar janë një problem”, thekson Krichbaum.
Ndërkohë, qëndrimi kritik i Krichbaum mbi pjekurinë e Tiranës ka bërë që politikani i CDU-së të jetë objektiv për mediat shqiptare, të cilat janë pranë Kryeministrit Edi Rama, thuhet në artikullin e "esspiegel.de", shpërndarë nga zyrtari gjerman. Ndër të tjera, Krichbaum u akuzua për veprimin në interes të Presidentit rus Vladimir Putin.