Newsbomb.al po bën një hetim të thelluar mbi Acromax Media Gmbh, me seli në Hamburg (Gjermani), me numër tatimor identifikimi VAT-ID: DE256031030, regjistruar nga Gjykata e Hamburgut me numër HRB 150385. Investigimi po kryhet për të identifikuar individët e vërtetë që qëndrojnë pas saj dhe interesat që përfaqësojnë ata, ndërsa prej disa vitesh po godasin në të njëjtën formë median e lirë në Shqipëri. Gjithçka ndodhi pas sulmit që kjo kompani ndërmori në një hark të shkurtër kohor ndaj prezantimit të Newsbomb.al në platformat e veta sociale, Facebook/Meta, instagram e Tik Tok. Ditën e djeshme Newsbomb.al zyrtarisht i dërgoi një kërkesë të detajuar ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë për informacione më të detajuara për operimin në Shqipëri të një kompanie me regjistrim gjerman, drejtuar nga një shtetas me pasaportë gjermane e kompani shqiptare. Ne kemi dyshimet tona të vërtetuara tanimë për paligjshmërinë e punës së këtyre kompanive në Shqipëri, por që presim edhe qëndrimin zyrtar të institucioneve ku kemi kërkuar informacion. Vetëm dy ditë më parë, me të tjera kërkesa, Newsbomb.al iu drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me kërkesën që mund ta lexoni këtu, dhe një ditë më parë një letër e hapur publike për të gjithë të interesuarit, duke përfshirë trupin diplomatik, mediat, përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit ndërkombëtar dhe për opinionin publik të interesuar. (Mund ta lexoni këtu). Më poshtë do të gjeni letrën e plotë drejtuar Zyrës Qendrore Federale të Taksave – (Bundeszentralamt für Steuern), lidhur me aktivitetin e kompanisë “Acromax Media” Gmbh. Kërkesa Të nderuar/a autoritete shtetërore Gjermane, Media që përfaqësojmë me emrin “NEWSBOMB”, themeluar në 2014, njihet gjerësisht në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe atë ndërkombëtar, për botimin e rregullt të një reviste dhe portali me të njëjtin emër, sikurse të ushtrimit të aktivitetit me profil gazetarie, kundrejt respektimit rigoroz të ligjeve shqiptare. Portali “NEWSBOMB”, prej 20 ditësh është vendosur nën një sulm total elektronik që po cenon rëndë interesat e kompanisë sonë, por më shumë se sa kaq, po godet lirinë e medias në Shqipëri, pasi ky nuk është sulm sporadik kryer vetëm ndaj nesh. Sulmi elektronik ka bllokuar dhe zhdukur të treja platformat e shpërndarjes së postimeve tona në rrjetin social “Instagram”, “Tik-Tok”, dhe “Facebook”/Meta. Kemi identifikuar se sulmi është bërë nga kompania “Acromax Media” GmbH me seli në Hamburg (Gjermani), me numër tatimor identifikimi VAT-ID: DE256031030, regjistruar nga Gjykata e Hamburgut me numër HRB 150385. Ne po kryejmë një investigim të thelluar mbi këtë kompani, për të identifikuar individët e vërtetë që qëndrojnë pas saj dhe interesat që përfaqësojnë ata, ndërsa prej disa vitesh po godasin në të njëjtën formë median e lirë në Shqipëri. Në këtë fazë të investigimit, po kërkojmë të marrim informacion zyrtar nga institucionet shtetërore kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë përgjegjësinë ligjore të kontrollit, parandalimit dhe penalizimit të shkeljeve në fushën tatimore, të kompanisë “ACROMAX MEDIA” GmbH (Hamburg/Germany) që nga të dhënat tona lidhet direkt me aktivitetin e dy shoqërive “FABER DIGITAL” sh.p.k (Tiranë/Shqipëri) dhe “ACROMAX” sh.p.k (Tiranë/Shqipëri). Nga të dhëna paraprake, informohemi se “ACROMAX MEDIA” GmbH, është krijuar në 2007 nga shtetasi gjerman (lindur në Shqipëri), z. Aldor Nini dhe shtetasja shqiptare (lindur në Egjipt), znj. Anxhela Faber. Dy të rinj të moshës 24 dhe 16 vjeç supozohet se kanë krijuar kompaninë në Hamburg (Gjermani), e cila mund të ofronte “Mbrojtje të markës”, “Ndalim të publikimit të lajmeve, të publikuara kundër rregullave të pronësisë intelektuale”, duke kontraktuar vitet e fundit media televizive, artistë, këngëtarë, parti politike dhe çdo të interesuar që siguronte shërbim nga kompania për “Dërgimin e njoftimeve kundër shkeljeve”, në platformat më të mëdha të botës si Google, YouTube, Facebook, Instagram, Spotify, Apple, Deezer dhe Soundcloud. Dy të rinjtë, prej vitit 2013, njihen në Shqipëri si protagonistë të kontraktimit të shumë artistëve (këngëtarë) shqiptarë, të mbylljes së disa mediave ose faqeve on-line dhe bllokimit të shumë lajmeve me karakter politik, që demaskonin me fakte aktivitetin e qeverisë qëndrore shqiptare dhe aferat e kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, Tiranë. Të gjitha veprimet e tyre janë prezantuar si aktivitet që bëhet në Gjermani nga “ACROMAX MEDIA” GmbH. Duke investiguar rreth aktivitetit të z. Aldor Nini dhe znj. Anxhela Faber në Shqipëri, mësojmë se ata kanë krijuar “ACROMAX” sh.p.k dhe “FABER DIGITAL” sh.p.k, dy kompani të deklaruara para organeve shtetërore shqiptare, përkatësisht me adresat e kontaktit elektronik: [email protected] dhe [email protected] (duke paraqitur akronimet e shoqërisë “Acromax Media” GmbH), ashtu si adresa e-mail: [email protected] që paraqet “Acromax Media” GmbH para autoriteteve gjermane. Jemi informuar se, aktiviteti në Shqipëri i “FABER DIGITAL” sh.p.k me numër tatimor/NIPT L62207020H, krijuar në 7 Tetor 2016, drejtohet dhe ka aksionere të vetme, znj. Anxhela Faber. Kësaj kompanie nuk i lejohet, sipas ligjeve shqiptare, të kryejë aktivitet që lidhet me kontraktimin e subjekteve për “Mbrojtje të markës” apo “Dërgimit të njoftimeve kundër shkeljeve”, që pretendohen se kryhen në platforma elektronike. Jemi informuar gjithashtu se, aktiviteti në Shqipëri i “ACROMAX” sh.p.k, me numër tatimor/NIPT M22128032O, është krijuar vetëm në 28 Shtator 2022 dhe ka administrator dhe aksioner të vetëm, z. Aldor Nini. Edhe kjo kompani nuk ka të drejta dhe as nuk lejohet, sipas ligjeve shqiptare, të kryejë aktivitet që lidhet me kontraktimin e subjekteve për “Mbrojtje të markës” apo “Dërgimit të njoftimeve kundër shkeljeve”, që pretendohen se kryhen në platforma elektronike. Mësuam se, z. Aldor Nini i është prezantuar autoriteteve shqiptare si shtetas gjerman me profesion “arkitekt” dhe është lejuar prej tyre të qëndrojë periodikisht me leje qëndrimi të tipit B, në Tiranë (Shqipëri). Përkundër të dyjave, kompania “ACROMAX MEDIA” GmbH, me adresë në Neuer Wall 6320354 Hamburg (Deutschland) dhe drejtor ekzekutiv, z. Aldor Nini, ka të drejta sipas deklarimit të aktivitetit në faqen zyrtare që: - Të mbrojë të drejta ndaj palëve, nëse një faqe interneti (portal) shkel të drejtat e subjekteve të ndryshme duke dërguar njoftime për heqjen e përmbajtjeve të padëshiruara nga i dëmtuari; - Të mbrojë klientët nga përmbajtje publikimesh të padëshiruara sipas metodës së “skanimit automatik” dhe “manual”; - Të mbrojë “markat dhe patentat” e klientëve duke dërguar njoftime kundër shkeljeve, që i bëhen atyre në platformat e shërbimeve elektronike të internetit, si Google, YouTube, Facebook, Instagram, Spotify, Apple, Deezer, Soundcloud duke kërkuar dhe bllokimin e ofruesve të faqeve të paligjshme. Sipas të dhënave të kësaj faqeje zyrtare, “ACROMAX MEDIA” GmbH, ka klientë të saj: Këngëtarët: Alban Furtuna, Alban Skënderaj, Albërie Hadërgjonaj, Alex Mica (1 am), Ardian Bujupi, Baba Stars, Blasta, Blunt & Real, Ҫiljeta Xhilaga, Dafina Dauti, Dalool, Dony, Dhurata Dora, Edi Balili, Fjolla Morina, Gent Fatali, Gent Myftaraj, Gramoz Kozeli, Ingrit Gjoni, Labinot Rexha, Luana, Mimoza Shkodra, Miriam Cani, Pandora, Sabiani, Samanta Karavello, Seldi Qalliu, Silva Gunbardhi, Sinan Hoxha, Soni Malaj, Stresi, Teuta Selimi, Tuna, Valter Beqo, Valton Krasniqi dhe “2 Ton”. Studiot muzikore: Arkiva Shqip, Elrodi Music, As Records, Boja Production, Superstar dhe Emracom. Televizionet: ABC, Alsat M, Channel 1, Digitalb, News 24, Ora News, Report TV, Syri Vision, Top Channel, Tring, TV Klan, Vizion Plus, Zjarr TV. 36 këngëtarë, grupe muzikore shqiptare, 6 studio muzikore dhe 13 televizione (përfshirë dy TV kryesore kombëtare në Shqipëri), figurojnë të reklamuara në faqen zyrtare të “Acromax Media” GmbH, si klientë të kontraktuar prej saj. Të gjithë këngëtarët, studiot muzikore dhe televizionet janë shqiptare, asnjë i huaj, asnjë gjerman, ndërkohë që kompania “Acromax Media” GmbH, zhvillon biznesin në Hamburg (Gjermani) sipas ligjeve gjermane, dhe raportimit para Zyrës Qendrore Federale të Taksave/Bundeszentralamt für Steuern, të Republikës Federale të Gjermanisë. Mësojmë se këngëtarët, studiot dhe TV-të shqiptare kanë lidhur një “Kontratë mbi të drejtat e përdorimit” me “Acromax Media” GmbH, dygjuhëshe, gjermanisht dhe shqip. Një shembull të saj po e dërgojmë tek ju, ku vihet re në përmbajtje të saj, një mangësi e theksuar tek çështja e pagesës së shërbimit. Asnjë nen i ligjit shqiptar nuk është përfillur, kur këngëtarët dhe studiot muzikore shqiptare, bashkë me Tv-mediat kryesore, janë kontraktuar nga “Acromax Media” Gmbh (Gjermani), por që në të vërtetë aktiviteti zhvillohet në Tiranë (Shqipëri). Nuk dimë nëse ato janë deklaruar në Gjermani dhe sa e respektojnë legjislacionin gjerman. Ne kemi verifikuar se sot aktiviteti i kompanisë “Acromax Media” GmbH bëhet shumë afër godinës së qeverisë qëndrore shqiptare në Tiranë, brenda një apartamenti ku punojnë 22 vajza, e nga ku mbahet korrespondenca me Google, YouTube, Facebook, Instagram e TIK-TOK, për mbylljen e platformave elektronike të medias së lirë në Shqipëri, si është dhe rasti i “NEWSBOMB”, por dhe korrespondenca me “Acromax Media” GmbH me adresë në Neuer Wall 6320354 Hamburg – Deutschland. Ne po e investigojmë rastin pranë shtetit gjerman, për të vërtetuar nëse ekziston (ose jo) lidhje ndërmjet “mëmës”-shoqërisë “Acromax Media” GmbH dhe dy shoqërive të krijuara në Shqipëri “FABER DIGITAL” sh.p.k dhe “ACROMAX” sh.p.k. Ne dyshojmë se të treja shoqëritë kanë pronarë të njëjtët persona, por për këtë duhet të informohemi nga burime serioze të nevojshme, siç është dhe autoriteti që kryen mbikëqyrjen e çdo aktiviteti tregtar dhe biznesi të regjistruar në Republikën Federale të Gjermanisë, të personave individë, ashtu dhe kompani, si në rang kombëtar, ashtu dhe ndërkombëtar. - Ne kërkojmë të informohemi, nëse të treja kompanitë dhe/ose njëra prej tyre, a kanë lidhje me njëra-tjetrën sa i përket aktivitetit të tyre tregtar, apo jo? - Ne kërkojmë të informohemi nëse Zyra Qendrore Federale e Taksave/Bundeszentralamt für Steuern, e Republikës Federale të Gjermanisë, si autoriteti që kryen mbikëqyrjen e çdo aktiviteti tregtar dhe biznesi të regjistruar në Gjermani, si në rang kombëtar, ashtu dhe ndërkombëtar, në respektim të Aktit të Administrimit Financiar (FVG), ka dijeni ose jo që “Acromax Media” GmbH, zhvillon biznes vetëm me subjekte të aktivitetit artistik dhe mediatik shqiptar, ashtu si tregohet në faqen zyrtare dhe nëse legjislacioni gjerman lejon që ky aktivitet të kryhet faktikisht në Shqipëri? - Ne kërkojmë të informohemi nga Zyra Qendrore Federale e Taksave/Bundeszentralamt für Steuern, e Republikës Federale të Gjermanisë, se si subjektet tregtare të regjistruara sipas legjislacionit gjerman, deklarohen për shërbimet që i ofrojnë entiteteve të huaja. Çfarë mekanizmash kontrolli përdor administrata tatimore gjermane në këtë rast, për të garantuar se kompanitë gjermane përmbushin plotësisht dhe me transparencë paguajnë detyrimet tatimore në Republikën Federale të Gjermanisë? - Ne kërkojmë të informohemi nga Zyra Qendrore Federale e Taksave/Bundeszentralamt für Steuern, e Republikës Federale të Gjermanisë nëse kontratat e të drejtave që “ACROMAX MEDIA” GmbH, mund të ketë lidhur me platformat e njohura Google, YouTube, Facebook, Instagram dhe TIK-TOK, a i nënshtrohen respektimit të legjislacionit gjerman, ose legjislacionit të shteteve ku ato kanë selitë kryesore? Për të marrë informacion zyrtar lidhur me këtë investigim mediatik, i jemi drejtuar autoriteteve shqiptare dhe do i drejtohemi zyrtarisht edhe platformave të Google, YouTube, Facebook, Instagram dhe TIK-TOK. Ne kemi indicie se kompania “Acromax Media” GmbH dhe personat që luajnë fijet pas saj, ushtrojnë aktivitet në mënyrë të dyshimtë prej disa vitesh të pashqetësuar në Shqipëri nën maskën e një aktiviteti që e ka bazën në Hamburg (Gjermani). Për këtë arsye kërkojmë verifikimin e të dhënave që po ju servirim, informimin rreth pyetjeve tona dhe bashkëpunimin tuaj të shpejtë lidhur me to.
Kërkesë për informacion Zyrës Qendrore Federale të Taksave nga NEWSBOMB.al by Newsbomb Albania on Scribd
Kontrate Mbi Te Drejtat e Perdorimit (1) by Newsbomb Albania on Scribd
