Hapësire reklamuese

OpEd

Kur lodhen, fëmijët grinden. Kur lodhen lëvizjet-fragmentohen: Lëreni egon mënjanë, uluni!

Shkruar nga Newsbomb
Kur lodhen, fëmijët grinden. Kur lodhen lëvizjet-fragmentohen:
Pezana Rexha

Nga Pezana Rexha

E shoh te vajzat e mia çdo herë: kur janë të uritura, pa gjumë, ose thjesht të mbingarkuara nga një aktivitet i caktuar, fillojnë grindjet e pakuptimta. Jo sepse duan, por sepse trupi dhe mendja kanë arritur kufirin.

E njëjtën dinamikë e shoh këto ditë në protestë dhe online.

30 ditë sakrifice ditore, secili sipas formës dhe mundësisë së vet. 30 ditë ku minigrupe autonome, pa koordinim zyrtar, arritën të bëjnë atë që nuk ishte bërë për më shumë se 35 vite. Dhe për herë të parë në gjithë jetën time, pashë ringjalljen e shpresës, kryesisht nga Tirana, nga ata që vendosën të dalin dhe si gjaku që rrjedh në trup është përhapur kudo.

Por pikërisht tani, në ditën e 30-të, vjen rreziku më i madh. Jo nga jashtë. Nga brenda.

Lodhja prodhon fragmentim. Minigrupe që funksionuan shkëlqyeshëm pikërisht sepse ishin të lira e autonome, fillojnë të ndjejnë peshën e pyetjeve të pashmangshme: kush sakrifikoi më shumë? kush u dëgjua më pak? çfarë hapi tjetër? Por edhe pyetjet më të rrezikshme, ato që fshihen pas lodhjes dhe mosbesimit: a mos është i infiltruar? a janë të PD-së, a janë të PS-së? a janë këtu për të na përçarë? pse nuk na japin fjalën? pse flasin për ligjin? pse nuk flasin për ligjin?

Këto pyetje nuk janë të gabuara, janë njerëzore. Por pa një hapësirë ku dalin hapur dhe drejt, bëhen helm i ngadaltë. Fragmentimi fillon i padukshëm dhe bëhet i pakthyeshëm.

Prandaj sot marr një iniciativë, dhe as nuk e kuptoj mirë pse, por s'ka rëndësi.

U drejtohem të gjitha minigrupe organizuese të protestës, PPNEA, Bunkeri, Feministet, organizatat e ndryshme mjedisore apo jo, partitë e vogla politike, individët që luajnë role të jashtëzakonshme ëdo ditë ( ju tashmë i njihni njëri tjetrin) , me një kërkesë të vetme:

Uluni të gjithë bashkë në një tavolinë. Jo para kamerave. Jo për deklarata. Vetëm të flisni me njëri tjetrin, po të jetë e nevojshme edhe 3 ditë rresht, derisa kuptojnë se kërkojnë dhe flasin për të njëjtat gjëra. ZIhuni , ballafaqohuni realizojini të gjitha në jetën reale dhe jo atë virtuale.

Ky është përshkallëzimi i vërtetë. Jo numri i protestuesve, jo intensiteti i sloganeve, por aftësia për të kthyer 30 ditë energji të shpërndarë në një plan të përbashkët.

 

E keni bërë më të vështirën. Mos e lini më të lehtën pa e bërë. Por ka edhe diçka tjetër që duhet thënë, dhe e them me respekt të plotë për gjithçka që keni bërë.

Të gjithë ne, të rritur nga i njëjti sistem, duam apo nuk duam, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje, mbajmë një ego që shpesh, pikërisht kur nuk e presim, dëmton atë që kemi ndërtuar me kujdes. Ego-ja nuk është gjithmonë arrogancë e hapur. Shpesh është e heshtur, e fshehur pas roleve, pas titujve, pas "unë e nisa këtë", pas "mua nuk më dëgjuan".

Ka ardhur koha që ego-ja të shuhet, jo vetëm individualisht, por bashkërisht. Shikojini ata që protestojnë me ju. Me sytë e ndezur, të frymëzuar prej jush. Ata kanë hequr vellon e ego-s, janë zhveshur, pa kërkesa ndaj vetes, me vetëm një kërkesë të përbashkët: shpëtimin e Shqipërisë dhe krijimin e një të reje, ku të mbizotërojë liria dhe harmonia.

Ata ju presin jo si liderë që luftojnë mes vete, por si njerëz që ulen bashkë.

Dhe ju mund të tregoni se si është një qeverisje horizontale (se të drejtosh një protest të këtyre përmasave është qeverisje në vetvete) e funksionale, respekti i njëri-tjetrit pavarësisht diferencave, pavarësisht moshës apo përkatësisë.

Ju për 30 ditë keni qenë shembulli më i mirë, dhe sot duhet të na tregoni se mund t'i lini mënjanë "luftat" e të vazhdoni luftën e vërtetë, për të cilën janë të gatshëm të gjithë të sakrifikohen.

Ju lutem dërgojeni këtë mesazh tek kushdo që mendoni se duhet ta dijë. Jo sepse unë di më shumë, por sepse unë, ashtu si shumë protestues të tjerë, ju dua njësoj, ju vlerësoj njësoj dhe dua që ju, bashkë me ne, t'i vazhdojmë t'i tregojmë një bote të tërë që kutia e Pandorës mund t'i hapet nga një vend i vogël si i yni, dhe s'kemi nevojë të na ndihmojnë të tjerë për të nxjerrë gjithçka që ajo mban brenda.

Nuk dua të ju shkruaj të gjithëve emrin, pavarësisht se pjesa më e madhe e juaja jeni shokë e shoqe të miat prej një jete. Por dua që të jetë ai që ju e quani sovrani, që këtë mesazh ta marrë nga secili prej tyre, për të kuptuar edhe ju që kjo është ajo që na duhet dhe duam.

Nuk ka vend për fragmentim. Ka vend për rikrijim dhe riformatim, për të evoluar ju bashkë dhe ne bashkë me ju.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese