Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Greqi, ku 19-vjeçarja, e identifikuar nga mediat greke si “Myrto” u gjet pa ndjenja jashtë një restoranti në sheshin qendror të Argostolit në orët e para të së martës. Ajo ishte braktisur nga tre të rinj të moshës 23, 26 dhe 22 vjeç, ky i fundit shqiptar,pasi kishin konsumuar kokainë në ambientet e një hoteli.
Bazuar në raportimin e bërë nga Newsbomb.gr, nëna e 19-vjeçarjes është me origjinë nga Shqipëria, dhe punonte në punë të ndryshme, ajo është përshkruar nga të njohurit si punëtore dhe me karakter të mirë.
Sipas raportimit të mediave greke, pak para dhënies së “lamtumirës” së fundit, kanë folur në një emision televiziv në Greqi, shoqja e saj e fëmijërisë dhe nëna e saj, ku kanë treguar bisedat e fundit që patën. Shoqja e fëmijërisë së 19-vjeçarjes është shprehur se ajo kishte komunikuar muajin e fundit në rrjetet sociale me 23-vjeçarin. Duke shtuar se ka qenë ajo vetë që e ka paralajmëruar të mos dilte me të pasi sipas atyre që kishte dëgjuar: "Nuk dëgjova gjëra të mira për këtë djalë. Prindërit e tij e kishin nxjerrë nga shtëpia dhe ai kishte shkuar në Athinë. I thashë një ditë më parë: "Myrto, të lutem, mendoj se je vajzë e zgjuar, mos dil më me këtë djalë." "Të lutem, më dëgjo."
Por Myrto i ishte përgjigjur se në fakt i riu 23-vjeçar, do të largohej nga Kefalonia të nesërmen me qëllim që të kthehej në Athinë dhe kështu ajo nuk do ta shihte më, teksa e kishte njoftuar se do të dilte me të dashurin e saj.
Shoqja e saj shpjegoi edhe grimin në fytyrën e 19-vjeçarjes së ndjerë për të cilin tha se kishte qenë vet ajo që ia kishte bërë duke qenë se punon si “make up artist” dhe shtoi se ajo pamje e tillë nuk ishte e zakoshme për 19-vjeçarjen.
"Ajo nuk dilte kurrë natën, kurrë. Myrto ishte një engjëll” ka shtuar më tej shoqja e saj.
Ndërkohë e ëma me origjinë shqiptare e “shkatërruar” nga vdekja e së bijës e ka të vështirë ta pranojë se ajo tashmë nuk është më, teksa jep intervistën ajo mban në kraharor foton e vogëlushes së saj, në gjendje të rënduar psikologjike dhe me lot në sy ajo beson se Myrto do të rikthehet.
“Myrtoula ime do të vijë në mbrëmje, fëmija im nuk iku, do të vijë. Në mbrëmje. Ajo iku dje dhe do të vijë në mbrëmje. Ja ku është", tha ajo.
Teksa më tej shtoi: “Ishte një fëmijë i mirë, një fëmijë shumë i sjellshëm. Unë dhe babai i saj kishim marrëdhënie të afët me të. Ajo nuk kishte sekrete nga ne. Më tha: "Mami, do të dal me filanin". Unë i thashë: "Dil, fëmija im". Mendova: "Është pas Pashkëve, lëre të dalë". Në orën 2:00 të mëngjesit i dërgova një mesazh: "Myrtoulë, të dua shumë. Kujdesu për veten, jeta ime". Ajo më tha: "Mami, edhe unë të dua". I thashë: "Unë dhe babi të duam shumë".
Nëna e saj kërkon të dijë tre gjëra: "Dua që të më shpjegojnë se çfarë i ndodhi fëmijës tim, pse e hodhën tutje dhe çfarë i dhanë. Dhe sigurisht që duan që ata të ndëshkohen, në mënyrë që fëmijët e tjerë të kursehen. Çfarë i dhanë fëmijës tim? Pse futën dy persona të tjerë atje? Pse e lanë fëmijën tim të vdiste dhe e hodhën tutje të pafuqishëm. Fëmija im do të ishte gjallë tani”
Kujtojmë se bazuar në detajet e para paraprake të publikuara më parë, njollat e gjakut në mur dhe disa peshqirë janë provat e para të mblehdura nga autoritetet. Në dhomën e gjumit, në shtrat u gjetën pjesë të qerpikëve artificialë, si dhe dy njolla gjaku. Në të njëjtën kohë, në tavolinën e dhomës u gjet një peshqir i bardhë, gjithashtu me një njollë. Provat specifike janë mbledhur me qëllim që t'i nënshtrohen testeve laboratorike, ndërsa autoritetet vazhdojnë të hetojnë rastin, raportojnë mediat greke.
Mediat greke shkruajnë se vajza shkoi në një hotel në Argostoli rreth orës 12 të natës së së hënës me 23-vjeçarin. Rreth orës 2 të mëngjesit, i riu i kërkoi asaj të përdorte kokainë . Më pas ata telefonuan ish-peshëngritësin 26-vjeçar, i cili solli drogën dhe e përdori me vete.
Pas një ore, 26-vjeçari u largua dhe u kthye me një sasi të re kokaine. Edhe 22-vjeçari shqiptar, i cili sipas burimeve të policisë nuk përdorte drogë, shkoi në hotel me të për herë të dytë. Në atë kohë, 19-vjeçarja me sa duket nuk mundi të duronte më dhe humbi ndjenjat.
Tre të rinjtë dyshohet se e kanë çuar atë pa ndjenja në shesh dhe më pas e kanë braktisur në vendngjarje . Pak kohë më vonë, ekipet e emergjencës e kanë gjetur dhe e kanë transportuar në spitalin e ishullit, ku ajo u shpall e vdekur.
Pamjet e kamerave të sigurisë që po shqyrtohen nga policia tregojnë një nga tre të rinjtë që e mbante atë , ndërsa dy të tjerët e ndjekin atë.
Mësohet se pasi e kanë lënë 19-vjeçaren në rrugë, 23-vjeçari është kthyer dhe ka fshirë gjurmët e përdorimit të kokainës. Ai së bashku me dy personat e tjerrë është arrestuar nga policia.
