Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në Paris, ku një burrë ka plagosur tre gra me dy thika kuzhine.
Sipas mediave të huaja, sulmi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites në zonën Porte de Clichy, në veri të kryeqytetit francez. Tre gratë e plagosura, të moshës 19, 24 dhe 36 vjeç, u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëra u godit në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa tjetra në bark.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, bëri të ditur se autori i sulmit u kap dhe u arrestua nga një oficer policie që ndodhej jashtë shërbimit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet i dyshuari, një burrë me flokë të zinj, i veshur me tuta ngjyrë kremi dhe me dy thika në duar.
"Është Allahu Ai që më urdhëroi", dëgjohet të thotë ai në video.
