Një festival i madh ushqimi në Seattle, SHBA u kthye në një skenë tragjedie mbrëmjen e djeshme, pasi të shtënat me armë zjarri lanë të vdekur dy persona dhe disa të tjerë të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 2 vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Qendrën e Seattle-it, ku po zhvillohej festivali tradicional tre-ditor “Bite of Seattle”, që çdo vit mbledh qindra mijëra vizitorë.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa katër të plagosur u dërguan në spital.
Qendra Mjekësore Harborvieë bëri të ditur se të gjithë të plagosurit kishin marrë plagë nga armët e zjarrit. Një grua ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime në krah, këmbë, bark dhe pjesën e poshtme të këmbës.
Ndërkohë i dyshuari për ngjarjen ka rënë në prangat e policisë së Seattle-it. Dëshmitarët thanë se dëgjuan disa breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, ambulancat, agjentë të FBI-së dhe forca të tjera të sigurisë.
Kjo është një nga të paktën 271 ngjarjet me të shtëna masive të regjistruara në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.
