Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, gjatë një interviste televizve në A2CNN, ka deklaruar se pavarësisht dokumentit strategjik ‘’BESA’’ që prezantoi të premten kryeministri Rama e ka humbur betejën me protestuesit.
Malaj ka deklaruar se qytetarët janë të prekur nga keqqeverisja dhe se të vetmit të pashqetësuar për situatën e vendin janë patronazhistët.
“Vetë këta qeveritarë duhet të reflektojnë. Po si mund të reagojë administrata publike vetëm kur ka protesta? Ata janë qytetarë të këtij vendi. Ata preken po aq sa çdo qytetar tjetër nga keqqeverisja. Të vetmit që nuk shqetësohen janë patronazhistët, ata që kanë mbyllur sytë përballë abuzimeve dhe që përfitojnë nga vjedhja e pandërprerë. Tani Ramës i është kujtuar të përmendë administratën kaq të frikësuar. Sipas mendimit tim, ai duhej ta kishte reformuar dhe riorganizuar atë shumë kohë më parë, në mënyrë ligjore dhe të rregullt”, tha Malaj.
Ish-ministri më tej ka bërë një deklaratë të fortë, teksa se kryeministri Edi Rama, është i vdekur politikisht, pasi ka arritur në pikën më të ulët të marrëdhënies me opinionin publik.
“Nga pikëpamja njerëzore, nuk kam asgjë personale me të, por nga pikëpamja politike, duke përdorur metaforën që përdoret shpesh në politikë, Rama është i vdekur politikisht. Ai ka arritur pikën më të ulët të marrëdhënies me opinionin publik”, deklaroi Malaj.
