Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë paraditen e sotme një banesë në fshatin Stan Karbunarë, në Bashkinë e Lushnjës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta, duke përfshirë të gjithë godinën.
Si pasojë e zjarrit, janë shkatërruar plotësisht orenditë e brendshme të shtëpisë, ndërsa është djegur edhe çatia e banesës.
Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit, banesa ishte bosh dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Familjarët që kujdeseshin për shtëpinë nuk ndodheshin aty, ndërsa pronari i saj jeton jashtë vendit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
