Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar në rrjetet sociale pas tragjedisë së ndodhur këtë të premte në bregdetin e Tales, ku humbën jetën dy vajza të mitura, Jonida Dajlani dhe Adelajda Misha, të moshave 9 dhe 11 vjeç, pasi u mbytën në det.
Në postim, Ndreu ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë, ndërsa ka ngritur shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet publike të pamenaxhuara.
Ai thekson se plazhet e pamenaxhuara nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga bashkia.
Reagimi i Ndreut:
Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre.
Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment.
Plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.
Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.

