Adri Nurellari
Revolucioni i Flamingos po hyn në një fazë të re. Në fillim dy partitë tradicionale u përpoqën ta injoronin. Mandej ta fiknin me anti-migingje si ai për nismën e hormoneve apo përvjetori i partisë socialiste . Kur nuk funksionoi, u përpoqën ta diskreditonin nga të dy krahët me gjithfarë insinuatash quajtën grekë, soroistë, iranianë, anti-amerikanë marksiste anti-zhvillim, anti-semite e gjithfarë. Tani po shohim fazën e katërt: përpjekjen për ta përvetësuar.
Lajmi i sotëm se strukturat e Partisë Demokratike po mobilizohen për t'iu bashkuar protestës është, në njëfarë mënyre, tregues i suksesit të saj. Kur një lëvizje qytetare fiton vëmendje, legjitimitet dhe simpati publike, partitë politike fillojnë të kuptojnë se nuk mund ta injorojnë më dhe se nuk e kanë më monopolin mbi administrimin e zemërimit qytetar. Në atë moment lind tundimi për të dalë në krye të saj, për të folur në emër të saj ose për ta shndërruar në një instrument të betejës politike.
Për vite me radhë, sistemi politik ka funksionuar mbi supozimin se çdo pakënaqësi mund të menaxhohej, kanalizohej ose neutralizohej përmes partive politike opozitare. Këto të fundit jo rrallë kanë përfunduar duke e transformuar atë në instrument negociimi politik, në kompromise, pazare dhe allishverishe që në fund kanë shërbyer më shumë për ruajtjen e ekuilibrave të sistemit sesa për ndryshimin e tij. Revolucioni i Flamingos ka qenë domethënës jo vetëm për shkak të kauzës që mbron, por sepse ka tronditur themelet e status-quosë apo establishmentit të deritanishëm. Protestat kanë treguar se zemërimi qytetar mund të organizohet edhe jashtë mekanizmave tradicionalë të kontrollit politik, duke krijuar një hapësirë autonome që as qeveria dhe as opozita nuk e kontrollojnë plotësisht.
Pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe për Revolucionin e Flamingos. Kjo nuk është dhe nuk duhet të bëhet një betejë mes PS-së dhe PD-së. Në momentin që reduktohet në një konflikt mes partive, humbet forca që e bëri të veçantë. Forca e saj qëndron pikërisht te fakti se bashkoi njerëz që zakonisht nuk ndodhen në të njëjtën anë të debateve publike; qytetarë me bindje politike, botëkuptime, profesione, mosha dhe përkatësi shoqërore të ndryshme, të ardhur nga komunitetet lokale, diaspora, shoqëria civile dhe jashtë saj, shumë prej të cilëve ndoshta nuk kishin marrë pjesë kurrë më parë në një protestë.
Në këtë kuptim, sfida nuk është të përjashtohen demokratët, socialistët apo mbështetësit e çdo force tjetër politike. Përkundrazi. Sa më e gjerë të jetë mbështetja qytetare, aq më e fortë bëhet kauza. Sfida është që askush të mos pretendojë pronësinë mbi të. Çdo qytetar është i mirëpritur. Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë. Por asnjë parti nuk duhet të pretendojë se flet në emër të një lëvizjeje që u ngrit pikërisht sepse ishte më e madhe se partitë.
Ndoshta kjo është prova më e rëndësishme e pjekurisë së Revolucionit të Flamingos. Jo aftësia për të mbledhur njerëz në shesh, por aftësia për të ruajtur karakterin e tij qytetar pikërisht në momentin kur aktorët politikë fillojnë të kuptojnë se nuk mund ta injorojnë më. Ruajtja e këtij karakteri qytetar kërkon jo vetëm hapje ndaj çdo qytetari që dëshiron t'i bashkohet kauzës, por edhe kujdes për të evituar simbolet partiake, deklaratat partiake dhe dominimin e figurave tradicionale politike, në mënyrë që protesta të vazhdojë të perceptohet si zëri i qytetarëve dhe jo si instrument i një force të caktuar politike. Po aq e rëndësishme është të shmangen gjuha e urrejtjes, stigmatizimet, deklaratat ekstremiste, sharjet banale, provokacionet dhe përplasjet që ia humbin protestës dimensionin e saj qytetar. Një lëvizje ku marrin pjesë fëmijë, prindër, motra e nëna duhet të mbetet shembull qytetarie, dinjiteti dhe respekti publik, sepse pikërisht këto vlera e kanë bërë atë të fitojë zemrat e kaq shumë njerëzve. Sepse historia tregon se lëvizjet qytetare nuk e humbin domosdoshmërisht forcën kur sulmohen nga kundërshtarët; shpesh e humbin atë kur pushojnë së qeni qytetare dhe fillojnë të bëhen pronë e dikujt.
