Detaje të reja kanë dalë nga skandali në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku dyshohet se janë vjedhur 690 milionë lekë të vjetra, fonde të destinuara për pensione, ndihmë ekonomike dhe pagesa të tjera sociale për qytetarët e Shijakut.
Në pamjet e kamerave të sigurisë vërehen lëvizjet e dyshuara të parave brenda filialit. Ish-shefja e Financës, Valbona Duni, shihet teksa hyn në arkën e filialit, merr një shumë parash, i fut në një thes dhe largohet.
Sipas pamjeve të publikuara, në disa episode Duni merr thasë me para nga arka dhe i dërgon në zyrën e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, në kundërshtim me procedurat e parashikuara.
Vetëm pak minuta më pas, Mataj shihet duke u larguar nga zyra me një qese të bardhë transparente, ku dyshohet se ndodheshin paratë që i ishin dorëzuar nga Duni.
Kujtojmë se një ditë më parë, bashkëshorti i ish-drejtoreshës, Feti Mataj, bëri kallëzim në Prokurori ndaj Valbona Dunit, duke e akuzuar se është përgjegjësja për abuzimin me fondet e destinuara për pensionistët e Shijakut.
Në kallëzimin e tij, Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është bërë padrejtësisht përgjegjëse për skandalin financiar në Postën e Durrësit dhe se nën hetim duhet të jetë ish-shefja e Financës.
Për këtë çështje, Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ndërsa dy vartëset e saj, ish-shefja e Financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, ndodhen nën masën e sigurisë "arrest në shtëpi".

