Policia e Kukësit ka arrestuar një 34-vjeçar, i cili u kap duke u kujdesur për bimët narkotike që dyshohet se kishte kultivuar në fshatin Kalimash.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi F. L., 34 vjeç, banues në Kukës. Ai u kap në duke u kujdesur për 60 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në territorin e fshatit Kalimash. Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie.
Po ashtu, policia ka arrestuar edhe një shtetas të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për F. R., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjë.
Për 63-vjeçarin, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike".
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij, shtetasin M. R., ka kultivuar 215 bimë narkotike në territorin e fshatit ku banonin.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, efektivët gjetën dhe sekuestruan edhe 3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Kukësit
Finalizohen në 24 orë, 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për raste në këtë fushë.
Kapet duke u kujdesur për bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Kalimash, dhe vihet në pranga 34-vjeçari.
Kapet njëri nga shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Zabeli”, për kultivimin e 215 bimëve Cannabis dhe prodhimin e 3 kg të kësaj lënde.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, në 24 orët e fundit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës finalizuan 2 operacione. Konkretisht:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës finalizuan operacionin e koduar “Kalimashi”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi F. L., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 60 bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa që kishte kultivuar në territorin e fshatit Kalimash. Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies;
-gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “Zabeli“ të zhvilluar më datë 11.07.2026, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional, me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policisë Kukës, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim F. R., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjë. Për të, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” , pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij, shtetasin M. R., ka kultivuar 215 bimë narkotike, në territorin e fshatit ku banonin. Më tej, në banesën e tyre, Policia gjeti 3 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Për rastin, u proceduan penalisht bashkëshortja e të ndaluarit dhe kryetari i fshatit Gështenjë. Vijon puna për kapjen e shtetasit M. R..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
