Edhe pse takimi midis Trump dhe Putin nuk ishte privat, siç ishte planifikuar fillimisht, gjatë udhëtimit të tyre me "Bishën" - makinën presidenciale amerikane - të dy udhëheqësit ishin vetëm, pa përkthyes.
Dhe kështu, gjatë 10-15 minutave që u deshën për të arritur në vendin e takimit (ku ata shoqëroheshin nga dy këshilltarë secili ), të dy mundën të bisedonin pak vetëm. Në makinë, në fakt, ndodhej vetëm shoferi dhe një roje sigurie.
Brenda "Bishës", Putini ishte ulur në sediljen e pasme në të majtë, dhe disa imazhe të publikuara e tregojnë atë duke buzëqeshur. Trump, nga ana tjetër, ishte ulur në të djathtë. Sigurisht, është e pamundur të dish se çfarë i thanë të dy njëri-tjetrit.
Është jashtëzakonisht e pazakontë të shohësh udhëheqësit e dy superfuqive duke udhëtuar në të njëjtën makinë. Që në vitin 2018, manjati kishte shprehur dëshirën e tij për të pritur diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në makinën e tij, por këshilltarët e bindën të refuzonte.
Jo vetëm kaq: mediat ruse konfirmuan se Putin hipi te "Bisha" edhe pse limuzina e tij personale Aurus e prodhuar në Rusi po e priste gjithashtu në pistën e Anchorage.
"Bisha" është supermakina e presidentit amerikan dhe karakteristikat e saj janë rreptësisht sekrete, megjithatë, ka disa elemente që janë bërë publik. Makina përdor goma të përforcuara me Kevlar, të cilat i lejojnë të vazhdojë lëvizjen edhe me një gomë të djegur; rezervuari i karburantit është i mbuluar me shkumë speciale kundër zjarrit; xhami antiplumb është bërë nga polikarbonat me trashësi 15 centimetra.
Në bord ka rezervuarë oksigjeni për të lejuar frymëmarrjen normale dhe për të mbrojtur pasagjerët nga një sulm kimik. Gjithashtu në bord ndodhet një frigorifer me furnizime gjaku të pajtueshme me ato të presidentit dhe furnizime mjekësore të dizajnuara për të ndihmuar presidentin në çdo emergjencë.
Sistemet e komunikimit të koduara janë të lidhura me të gjitha qendrat e pushtetit amerikan, me dy linja gjithmonë të hapura: zëvendëspresidentin dhe Pentagonin.
