Forcat Mbrojtëse Izraelite kanë njoftuar mbrëmjen e kësaj të diele se po sulmojnë objektivat në Iran.
Përmes një postimi në llogarinë “X”, IDF thotë se forcat e saj ajrore po synojnë “infrastrukturën ushtarake” në Teheran dhe Iranin perëndimor.
Ndërkohë, më herët kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi para gazetarëve se Izraeli nuk do të tërhiqet nga operacionet ushtarake kundër Iranit.
Ky reagim i tij erdhi në një kohë kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mban një mbledhje urgjente në New York, thirrur nga Irani pas sulmeve të fundit ajrore amerikane në territorin iranian.
Në këtë takim Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se popujt e Lindjes së Mesme nuk mund të durojnë një cikël tjetër shkatërrimi, megjithatë theksoi se tani “rrezikojmë që të biem në një gropë hakmarrjeje pas hakmarrjeje”.
Për të shkamgur përshkallëzimin e konfliktit ai u shpreh se duhet të mbizotërojë diplomacia dhe se duket kërkuar një kthim në negociatat mbi programin bërthamor të Iranit.
Nga ana tjetër, Barbara Woodward, përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, tha se "prioriteti kryesor i Britanisë tani duhet të jetë mbështetja e deeskalimit".
"Ne e kemi bërë të qartë prej kohësh se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se programi i tyre bërthamor përfaqëson një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", tha ndër të tjera ajo, teksa më tej theksoi se vendi i saj nuk mori pjesë në sulmet ajrore të SHBA-së apo Izraelit.
Woodward shtoi gjithashtu se "vetëm veprimi ushtarak" nuk mund të sjellë një "zgjidhje të qëndrueshme" për programin bërthamor të Iranit, duke i nxitur "të gjitha palët të kthehen" në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një "zgjidhje diplomatike".
