Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e përditshme e spitaleve europiane, duke ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjeve dhe në organizimin e punës, por mungesa e rregullave të qarta për përdorimin e saj po shihet si rrezik për pacientët. Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, paralajmëroi se hendeku mes përdorimit të AI dhe mbikëqyrjes së saj është sfida kryesore e momentit.
Sipas të dhënave të OBSH-së, dy të tretat e vendeve të rajonit tashmë përdorin AI për diagnostikim, ndërsa gjysma kanë chatbot-e për pacientët. Megjithatë, vetëm një në 12 vende ka një strategji për qeverisjen e teknologjisë dhe vetëm 8% kanë plane të posaçme për shëndetësinë. Pothuajse 40% e vendeve nuk kanë udhëzime etike për përdorimin e saj, duke lënë hapësirë për gabime të rrezikshme.
Kluge theksoi se një algoritëm i gabuar mund të prodhojë diagnoza të pasakta, me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin e pacientëve. OBSH vë në dukje edhe mangësitë në përgatitjen e mjekëve: vetëm një në pesë vende edukon studentët e mjekësisë për përdorimin e AI dhe vetëm një në katër ofron trajnime për profesionistët në punë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të prezantojë në vitin 2028 një udhërrëfyes për përdorimin e sigurt të inteligjencës artificiale në shëndetësi, me synim mbrojtjen e pacientëve dhe rritjen e besueshmërisë së sistemeve shëndetësore.
