Hapësire reklamuese

Dossier

Kush po përpiqet të shkaktojë panik në Tiranë?

Shkruar nga Newsbomb

Dy shpërthime, tre eksploziv të çaktivizuar dhe një alarm fals për një pako të dyshimtë tek “21 dhjetori”  kanë krijuar në Tiranë gjatë tre ditëve të fundit një situatë alarmante.

Nuk dihet ende nëse e gjitha kjo është orkestruar, por një qëllim është arritur, banorët e Tiranës janë tashmë në panik dhe nuk ndihen të sigurtë në rrugët e qytetit të tyre.

Gjithçka nisi më 10 shkurt me shpërthimin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, për të vijuar më pas me shpërthimin në shtëpinë e ish-shefit të Komisariatit Nr. 3 të Tiranës, Alfred Numanit.

Në të njejtën ditë një tjetër minë e zbuluar në një stacion autobusi pranë shkollës “Vasil Shanto” krijoi në qytet një situatë paniku duke detyruar të gjitha agjencitë shtetërore të ngriheshin për të marrë në kontroll situatën.

400 gram tritol të vendosur pranë stacionit të autobusit kishin impaktin më të fortë tek qytetarët e Tiranës. Dikush për çfarëdo arsye rrezikonte të shkaktonte një katastofë të vërtetë nëse e shpërthente bombën dhe në fakt e kishte tentuar por fatmirësisht një defekt kishte bërë të mundur që plani të mos realizohej.

Politika nisi akuzat për përgjeshmërinë e sulmeve dhe lidhjes së saj me krimin. Shpërthimi në farmacinë dhe mina në stacionin e autobusit u konsideruan nga Polica e Shtetit si të lidhura me njëra tjetrën dhe objektiv i tyre ishte familja e ministrit Tahiri.

Dikush u solidarizua me ministrin e Brendshëm e dikush tjetër e konsideroi atë të lidhur me “malavitën”, megjithatë terrori në rrugët e Tiranës nuk përfundoi më 10 shkurt.

Një ditë më pas një avokat i quajtur Emiljano Mema zbuloi një granatë të vendosur në gomën e makinës së tij. Mema ishte përballur edhe më parë me situata të tilla, kur ishte plagosur në vitin 2009 nga dy shtetas të tjerë. Dukshëm ngjarja ndonëse pati menjëherë impakt tek qytetarët, ishte e qartë se nuk kishte lidhje me ato të një dite më parë.

Një biçikletë me lëndë eksplozive e zbuluar pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” rikthehu sërish panikun në Tiranë më 12 shkurt. Policia nuk kishte njoftuar për zbulimin e eksplozivit dhe vetëm pas çaktivizimit të tij kjo është bërë e njohur për qytetarët.

Një biçikletë me eksploziv pranë një shkollë të mesme nuk ka për qëllim të japi mesazh për ndonjë politikan të korruptuar apo biznesmen, qëllimi i saj është të shkaktojë panik tek masat.

Rezultati ishte i shpejtë. Një çantë e dyshimtë u raportua pak orë më vonë pranë 21 dhjetorit në Tiranë dhe menjëherë forca të shumta policie rrethuan zonën. Ekspertët xhenierë pas verifikime të kryera raportuan se kishim të bënim me një alarm fals. Një alarm fals që tregon se Tirana është e frikësuar nga ngjarjet e fundit dhe me këtë situatë dikush me siguri ndihet i kënaqur.

Partia Demokratike i konsideroi shpërthimet e 10 janarit si mesazh ndaj ministrit Tahiri për lidhjet e tij me botën e krimit, por nuk ka qenë e aftë të “zbulojë” mesazhin që kërkojnë të japin ngjarjet e fundit.

Nuk kanë munguar as akuzat në media për implikimin e opozitës në këto shpërthime dhe vendosjet e këtyre bombave.

Gjithashtu vlen të theksohet edhe një parashikim i gazetarit Artan Hoxha, që çuditërisht u përmbush me saktësi.

I ftuar në emisionin “Opinion” për të diskutuar për zbulimin e laboratorit të drogës në Xibrakë të Elbasanit, Hoxha do të shprehej se pas këtij operacioni të policisë pritet të ketë reagim nga bota e krimit. Hoxha duke bërë këtë parashikim i referohej sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme kokaine në Mal të Zi që kishte për destinacion Shqipërinë dhe pak ditë më pas në Tiranë u ekzekutua biznesmeni i njohur Artan Santo.

Ndoshta shpërthimi në farmacinë e babait të Saimir Tahirit lidhet pikërisht me zbulimin e laboratorit të drogës në Xibrakë, askush nuk mund ta konfirmojë apo të hedh poshtë këtë dyshim, deri në momentin që policia do të mund të zbulojë arsyet e vërteta të saj.

Në të kundërt kemi të bëjmë me një "lojë" të rrezikshme që ka për qëllim shkaktimin e terrorit tek qytetarët dhe mbetet për t'u zbuluar se kush janë lojtarët e saj.

K.S/ newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese