Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Ra ky flamingo dhe u pamë!

Shkruar nga Newsbomb
Ra ky flamingo dhe u pamë!
Foto ilustruse: Flamingo, Adri Nurellari

Nga Adri Nurellari

Sado që duket si humor vlonjat me pendë, e vërteta është se ky zogu i gjorë rozë na mblodhi të gjithë të pakënaqurit bashkë, duke bërë në këtë mënyrë atë që nuk e bëri dot asnjë tryezë rrumbullakët e shoqërisë civile apo partive opozitare. Por, kurrsesi nuk duhet reduktuar e gjithë kjo protestë thjesht te ndjeshmëria mjedisore; sepse këtu çështja është shumë më e thellë.

Përtej ekologjisë, Përtej mjedisit, protesta reflekton një revoltë ndaj perceptimit se shteti po sillet më shumë si ndërmjetës i interesave të veçanta sesa si kujdestar i pasurisë së përbashkët. Pas kaq shumë koncesionesh, PPP-sh, përjashtimesh ligjore dhe trajtimesh preferenciale, skandalesh korruptive, çdo projekt i ri nuk gjykohet më në izolim, por si pjesë e një historie më të gjatë privilegjesh, përqendrimi përfitimesh dhe transferimi gradual i aseteve publike drejt interesave private.

Prandaj nuk duhet nënvlerësuar flamingoja i shkretë! Historia e njerëzimit ka treguar se përmbysjet e mëdha dhe lëvizjet për liri; pavarësi e demokraci gjithmonë kanë nisur nga gjëra që në pamje të parë dukeshin krejt periferike apo banale. Më 16 dhjetor 1773, Etërit Themelues të SHBA-ve ndezën shkëndijën e revolucionit të pavarësisë revoltën e ccajit  duke hedhur ngarkesat e çajit në det për shkak të taksave të mbretit.

Në vitin 1930, Mahatma Gandi e fitoi pavarësinë e Indisë duke nisur "Marshimin e Kripës";  një ecje 24-ditore thjesht për të protestuar kundër taksës britanike mbi kripën. Më 25 prill 1974, Portugalia përmbysi diktaturën e saj 40-vjeçare të Salazarit përmes "Revolucionit të Karafilit", ku armët e ushtarëve u bllokuan me lulet e kuqe që iu dhuroi një shitëse rruge.

Në vitet 1987–1989, Republikat  Baltike (Estonia, Letonia, Lituania) nisën rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik pikërisht përmes lëvizjeve ambientaliste që kundërshtonin ndërtimin e centraleve bërthamore dhe minierave të fosfatit.  Në vitet 1988–1989, Hungaria nisi çarjen e Perdes së Hekurt dhe rrëzimin e regjimit komunist përmes protestave masive të "Rrethit të Danubit", ku qytetarët mbrojtën ekosistemin e lumit nga projekti i hidrocentralit të Nagymaros-it.

Lista e rasteve analoge është goxha e gjatë, kështu që, mos të çuditemi fare për peshën që po merr heroi ynë me pupla. Sociologu amerikan Charles Tilly argumentonte se lëvizjet shoqërore nuk lindin thjesht nga një problem konkret, por nga aftësia e një problemi për të përfaqësuar shumë probleme të tjera njëkohësisht. Në këtë kuptim, flamingoja nuk është shkaku i protestës. Ajo është gjuha përmes së cilës po shprehet një pakënaqësi shumë më e gjerë. Njësoj siç një akt i vetëm policor mund të shndërrohet në simbol të padrejtësive racore në Shtetet e Bashkuara apo një rritje tarife mund të ndezë protesta masive në Francë, edhe në Shqipëri një debat mbi një projekt turistik ka filluar të funksionojë si kanal për shqetësime që shkojnë shumë përtej mjedisit.

Në thelb, ajo që po shfaqet në Zvërnec është një krizë shumë më e thellë; është kulminimi i erozionit gradual të besimit publik ndaj mënyrës se si shteti shqiptar menaxhon pasuritë e përbashkëta, zbaton ligjin dhe rregullat dhe shpërndan kostot dhe përfitimet e zhvillimit ekonomik. Flamingot kanë shërbyer vetëm si katalizator simbolik për artikulimin e një pakënaqësie që është akumuluar prej vitesh përmes përvojave të ndryshme, shpesh të palidhura drejtpërdrejt me mjedisin. Për të kuptuar këtë fenomen duhet parë historia e premtimeve të zhvillimit në Shqipërinë postkomuniste. Për më shumë se tri dekada, projekte të shumta janë prezantuar si motorë të rritjes ekonomike, modernizimit dhe integrimit në tregjet globale.

Megjithatë, perceptimi publik mbi rezultatet e tyre është shpesh i ndryshëm nga narrativa zyrtare. Në zonat minerare, komunitetet lokale kanë parë degradim mjedisor aksidente fatale pa përjetuar domosdoshmërisht nivele të reja mirëqenieje apo rritje të sigurisë teknike në punë. Në rajonet e nxjerrjes së naftës, shumë banorë vazhdojnë të jetojnë pranë ndotjes industriale pa ndier se pasuria që prodhohet nga territori i tyre është reflektuar proporcionalisht në cilësinë e jetës së komunitetit. Madje përkundrazi shohin që nafta përbën një aferë të madhe korruptive që sot është në SPAK.

Njësoj në SPAK është edhe afera e tunelit 200 milionë eurosh,  që thjesht afron 15 minuta më shpejt investitorët dhe pronarët me vilave e tyre  në fshatra ekskulizve me dyer të mbyllura si ato që po synohen në Zvërnec. E njëjta shumë do të kishte mjaftuar për të rehabilituar qindra kilometra rrugë rurale e dytësore në të gjithë vendin. 

Ndërsa një rrjet më i mirë rrugësh rurale do të kishte rritur produktivitetin bujqësor, do të kishte ulur kostot e transportit për fermerët dhe do t'i kishte dhënë një impuls të drejtpërdrejtë turizmit rural në dhjetëra bashki, Prandaj, në sytë e qytetarëve qeveria aktuale shfaq një efikasitet të admirueshëm kur bëhet fjalë për projekte elitare të biznesmenëve afër saj, por një ngadalësi të pafundme kur bëhet fjalë për investime që prekin drejtpërdrejt jetën e shumicës. Ky selektivitet vetëm sa forcon bindjen se prioritetet e zhvillimit po përcaktohen nga interesat e një pakice dhe jo nga nevojat e shumicës.

Këtu qëndron një nga konceptet më të rëndësishme të ekonomisë politike modern që quhet legjitimiteti i zhvillimit. Ekonomisti dhe nobelisti Douglass North argumentonte se institucionet nuk gjykohen vetëm nga rezultatet që prodhojnë, por nga mënyra se si qytetarët perceptojnë drejtësinë dhe parashikueshmërinë e rregullave. Nëse njerëzit besojnë se rregullat zbatohen në mënyrë të barabartë, ata pranojnë edhe vendime me të cilat nuk bien dakord. Kur krijohet bindja se rregullat mund të ndryshojnë sipas interesave të aktorëve më të fuqishëm, çdo projekt i ri fillon të shihet përmes filtrit të dyshimit.

Në këtë pikë bëhet e qartë pse narrativa zyrtare ka hasur vështirësi. Përpjekja për ta paraqitur debatin si një konflikt midis progresit dhe ambientalizmit nuk arrin të shpjegojë përbërjen e vetë protestës. Midis kundërshtarëve të projektit gjenden individë me bindje të ndryshme politike, profesionistë, sipërmarrës, studentë, emigrantë dhe qytetarë që nuk kanë qenë pjesë e aktivizmit mjedisor. Një koalicion kaq heterogjen rrallë formohet rreth një çështjeje teknike. Ai formohet kur njerëz me shqetësime të ndryshme arrijnë të njohin të njëjtin problem në një simbol të përbashkët.

Kjo është ajo që sociologu Ernesto Laclau e quante "signifikuesi bosh" duke nënkuptuar një simbol që bëhet mjaftueshëm i gjerë për të përfaqësuar shumë kërkesa të ndryshme njëkohësisht. Për disa protestues flamingoja përfaqëson mbrojtjen e natyrës. Për të tjerë përfaqëson mbrojtjen e pronës publike. Për disa të tjerë është simbol i kundërshtimit ndaj privilegjeve, përjashtimeve ligjore apo vendimmarrjes së centralizuar. Pikërisht sepse secili sheh diçka të ndryshme tek i njëjti simbol, lëvizja arrin të marrë dimensione më të mëdha sesa vetë objekti i protestës.

Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e flamingos nuk qëndron tek vetë objekti i protestës, por tek aftësia e saj për të nxjerrë në sipërfaqe dinamika që ekzistonin prej kohësh. Debati për Zvërnecin nuk krijoi mosbesimin ndaj institucioneve, ndaj proceseve të vendimmarrjes apo ndaj modelit të zhvillimit që është ndjekur gjatë dekadave të fundit; ai thjesht e bëri atë të dukshëm.

Ai reflekton bindjen në rritje se shteti është bërë më i shpejtë në dhënien e privilegjeve sesa në zgjidhjen e problemeve, më efikas në shërbimin ndaj projekteve elitare sesa ndaj nevojave të përditshme të qytetarëve.Shprehja "ra ky flamingo dhe u pamë" përshkruan pikërisht këtë moment zbulimi kolektiv. Jo sepse një çështje mjedisore ndryshoi papritur realitetin politik të vendit, por sepse ajo ekspozoi një akumulim pakënaqësish, dyshimesh dhe perceptimesh të krijuara nga përvoja të mëparshme. Në këtë kuptim, flamingoja funksionoi si një katalizator jo vetëm si revoltë mjedisore, por si një aktakuzë shumë më e gjerë ndaj modelit të qeverisjes që e prodhoi atë mosbesim.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese