Avokatët e gjithë Shqipërisë janë mbledhur sot në Tiranë për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes (rizgjedhjes) së kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me Maks Haxhinë që ka qenë kandidat i vetëm.
Burime të brendshme pohojnë për newsbomb.al se pjesëmarrja ka qenë 100%, pra të gjithë anëtarët e Dhomës kanë qenë të pranishëm për të votëbesuar Maks Haxhinë edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar.
Ish-kryeprokurori dhe profesori Maks Haxhia mban kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë prej vitit 2000 dhe sot pritet të konfirmohet edhe mandati i tij i ri, duke rrugëtuar drejt tre dekadave si kryetar i DHASH.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë ka nisur prej orës 13:00 në ambientet e kompleksit "XIBRAKU" në Tiranë.
Përveç zgjedhjes së kryetarit, avokatët do të votojnë sot edhe për anëtarët e Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Referuar Statutit të DHASH, për Komitetin Drejtues do të zgjidhen gjithsej 15 anëtarë.
Kryetari i zgjedhur nga procesi zgjedhor, i cili pritet të konfirmohet Maks Haxhia, bashkë me Kryetarin e Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, Klodjan Skënderaj, i cili u zgjodh pak javë më parë, janë automatikisht anëtarë të Komitetit Drejtues, për shkak të funksionit.
Çfarë shkruan Dhoma Kombëtare e Avokatisë për kryetarin Maks Haxhia:
Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1982. Në vitin 1985 është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë. Ai ka marrë disa tituj akademikë si “Kandidat i Shkencave” (1990), “ Doktor i Shkencave Juridike” (1994), “Profesor i Asociuar” (2004) dhe “Profesor” (2013). Gjatë karrierës së tij ai ka kryer disa specializime në Shqipëri dhe jashtë vendit, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit.
Në vitin 1992, ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ai iu bashkua Dhomës Kombëtare të Avokatisë në vitin1992 dhe është kryetar i saj prej vitit 2000. Gjithashtu, ai është anëtar i bordit të Shkollës së Magjistraturës prej vitit 2000.
Për periudhën 1985 - 1992 ai ka ushtruar profesionin si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë dhe prej vitit 1997 ai është pedagog me kohë të pjesshme në Shkollën e Magjistraturës. Është Kryetar i Komitetit Shkencor të Shkollës së Avokatisë dhe lektor përgjegjës në këtë Shkollë prej muajit Janar, 2013.
Në vitin 2002 ai ishte anëtar i grupit të punës për hartimin e ligjit “ Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të Zyrtarëve Publikë dhe disa nëpunësve publikë”, si dhe autor i Ligjit “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Ai ishte anëtar i Stafit Teknik për hartimin e Kushtetutës në vitin 1998 si dhe autor i disa librave dhe artikujve.
