Ndryshimet e reja të masave të sigurisë për disa nga të burgosurit i kanë dhënë lirinë Ilir Selmanit, personi kryesor që dyshohet të jetë autori i vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarja e ndodhur më 27 gusht të 2019.
Burimet bëjnë me dije se Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur që të zbusë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” për shtetasin Ilir Selmani i cili në nëntorin e 2023 u dënua me 28 vite burg për eliminimin e ish-efektivit.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar:
VENDOSI:
-Pranimin e kërkesës, konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin I.S të lidhur me masën e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, verifikuar me vendimin nr.43 datë 17.04.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
-Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit I.S duke urdhëruar të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në rrugën “*”, banesë private, nr. * Tiranë.
-Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pa ndërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
-U shpall në Tiranë, sot më datë 19.06.2026.
Si ndodhi vrasja e policit Santiago Malko:
Vrasja e ish-policit ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko.
Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qenë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare.
Roli i Ilir Selmanit në vrasjen e Santiago Malkos, ka qenë bërja gati e automjetit me të cilin janë larguar pas ekzekutimit autorët dhe fshirja e gjurmëve të tjera të lëna në vendngjarje ndërkohë që pritej shënjestra
I udhëzuar nga Leonard Duka, Selmani ka kthyer makinën pasi kanë shënjestruar Malkon. Më pas Ilir Selmani shfaqet në disa video teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, survejuesi i ish-policit.
