Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me të shtënat me armë zjarri të ndodhura mbrëmjen e kësaj të premteje në Kamëz.
Sipas policisë, një 18-vjeçar me iniciale R. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur (servis celularësh), dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Po ashtu, në njoftim bëhet me dije se i riu është arrestuar rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, teksa po tentonte të largohej.
Policia vijon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Kamëz/Informacion paraprak
Rreth orës 20:25, në Babrru, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur (servis celularësh), dhe më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, i janë vënë në ndjekje autorit të dyshuar dhe, rreth 3 km larg vendit të ngjarjes, kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. M., rreth 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale.
Aktualisht, nuk ka të dhëna për persona të dëmtuar/lënduar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tij.
Në përfundim të hetimeve do të jepet një njoftim më i plotë për rastin.
