Qeveria ka miratuar tre vendime të reja për përdorimin e Fondit të Rindërtimit gjatë vitit 2026, duke vënë në dispozicion një shumë prej rreth 634 milionë lekësh pa TVSH. Këto fonde do të shpërndahen për bashkitë Krujë, Kurbin dhe Lezhë, me qëllim projektimin, riforcimin dhe rikonstruksionin e objekteve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore.
Vendimet janë firmosur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Në Bashkinë Kurbin është parashikuar një fond për projektimin e ndërhyrjeve në godinat me dëmtime të rënda, ndërsa Kruja dhe Kurbin do të përfitojnë mbi 300 milionë lekë për riforcimin e pallateve të shpallura të pabanueshme.
Për banesat individuale, qeveria ka miratuar një fond prej 327 milionë lekësh që do të ndahet mes Lezhës dhe Kurbinit, duke u dhënë familjeve grante për rikonstruksion.
Nga llogaritja e përgjithshme, Lezha merr pjesën më të madhe të buxhetit me rreth 297 milionë lekë, Kruja përfiton mbi 196 milionë lekë, ndërsa Kurbin merr rreth 140 milionë lekë për të tre kategoritë e financimit.
Zbatimi dhe monitorimi i këtyre projekteve do të bëhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë përkatëse, me synimin që objektet e dëmtuara të rikthehen në gjendje funksionale dhe familjet e prekura të marrin mbështetjen e nevojshme.
