Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila e dënoi atë me 1 vit burg.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë prej Genti Shalës, nën cilësinë e relatorit, si edhe nga anëtarët Ilir Panda dhe Abana Boksi.
Kujtojmë se Memolla aktualisht ndodhet në burgun e Rrogozhinës, i shpallur fajtor në dy shkallë gjykimi për korrupsion në zgjedhje. Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit në 9 shkurt 2026, Memolla u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Përveç dënimit me 1 vit burg, GJKKO ka marrë vendimin për t’i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Sipas SPAK, Edison Memolla në zgjedhjet e pjesshme ka ndikuar tek pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
