Janë publikuar pamje të reja nga operacioni dramatik i shpëtimit të një familjeje që mbeti e bllokuar në apartamentin e përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Laprakës.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme efektivët e Policisë së Shtetit kanë marrë në krahë fëmijët e familjes dhe i kanë nxjerrë nga banesa, ndërsa zjarri kishte përfshirë apartamentin e tyre në katin e shtatë të pallatit.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:10, kur flakët shpërthyen në një apartament në rrugën “Bernard Bilota”, te Pallatet e Arabit në Laprakë. Brenda banesës ndodheshin dy prindërit së bashku me dy fëmijët e tyre të mitur, të cilët mbetën të bllokuar për shkak të zjarrit dhe tymit të dendur.
View this post on Instagram
Falë reagimit të menjëhershëm të forcave të policisë dhe shërbimit zjarrfikës, familja u evakuua në kohë, duke shmangur një tragjedi. Operacioni i shpëtimit u zhvillua në kushte të vështira, ndërsa efektivët dhe zjarrfikësit rrezikuan jetën për të nxjerrë në siguri të gjithë anëtarët e familjes.
Pamjet e publikuara dëshmojnë jo vetëm vështirësinë e ndërhyrjes, por edhe përkushtimin e uniformave blu dhe zjarrfikësve, të cilët në pak minuta arritën të shpëtonin jetën e dy fëmijëve dhe prindërve të tyre.
