Janë vënë në pranga ditën e sotme babë e bir, shtetasit Hashim Markaj 53 vjeç dhe Sulejman Markaj 24 vjeç të cilët dyshohet se falsifikonin dokumentet e qytetarëve kundrejt një pagese 3000-5000 euro.
Blutë bëjnë me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në një banesë në zonën e Rrushkullit të Durrësit, të cilën dyshja së bashku me një 37-vjeçar i identifikuar si Elidon Vladi, e kishin përshtatur për falsifikim dokumentesh, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 46 të tilla.
Në mesin e dokumenteve mësohet se kanë qenë diploma, vendime gjyqësore, certifikata dhe dokumente aplikimesh.
Po ashtu, gjatë kontrolleve fizike të kryera në terren thuhet se janë sekuestruar dhe dy vula të dyshuara false, 6 celulare dhe 3 kompjuterë që dyshohet të jenë përdorur për veprimtarinë e kryer në bashkëpunim të treshes, babë e bir, Hashim dhe Sulejman Markaj e Elton Vladi.
Sakaq, bëhet me dije se po vijon puna për të zbardhjen e plotë të ngjarjes e për të zbuluar nëse ka pasur persona të tjerë të implikuar në rastin konkret.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Gjeneralitetet”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë.
Zbulohet një laborator për falsifikim të dokumenteve, kundrejt shumave 3000-5000 euro.
Sekuestrohen 46 dokumente (shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh) të dyshuara të falsifikuara, 2 vula të dyshuara false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë.
Arrestohen 3 shtetas: babë e bir që kishin vënë banesën, në dispozicion të kësaj veprimtarie kriminale, dhe bashkëpunëtori i tyre.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimit e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të dyshuar të përfshirë në mënyrë të organizuar, në falsifikim të dokumenteve, në një ambient të përshtatur për këtë qëllim, është finalizuar operacioni i koduar “Gjeneralitetet”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit H. M., 53 vjeç dhe S. M., 24 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. V., 37 vjeç.
Gjatë kontrolleve rezultoi se të arrestuarit kishin përshtatur banesën e shtetasve H. M. dhe S. M., në fshatin Rrushkull, Durrës, për falsifikim të dokumenteve si: diploma, dokumente shkollore të tjera, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Në këtë ambient u gjetën 2 vula false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe dhjetëra dokumente të dyshuara false.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
