Sot do të shënohet dita e 20-të e protestës në Tiranë, e ndërkohë organizatorët e saj kamë publikuar në rrjetet sociale një peticion të quajtur “Shqipëri e re= Kushtetutë e re”. Në të cilin synohet që të nxitet krijimi i një sistemi të ri kushtetues të bazuar në demokraci pjesëmarrëse dhe shtet të mirëqenies.
Sipas dokumentit të cituar nga vna.al, qëllimi kryesor është rikthimi i sovranitetit te qytetarët si edhe ndryshimi i modelit aktual të qeverisjes, të cilin autorët e peticionit e përshkruajnë si të dominuar nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike.
Në këtë peticion renditen shtatë pika kryesore:
* fuqizimi i rolit të qytetarit në vendimmarrje dhe kufizimi i rolit të partive politike;
* vendosja e referendumeve të detyrueshme për çështje kushtetuese dhe ligje me rëndësi strategjike;
* kufizimi i mandateve në maksimumi dy për deputetët dhe kryetarët e bashkive;
* krijimi i mekanizmit të shkarkimit popullor (recall) për zyrtarët e zgjedhur;
* përfaqësim institucional i diasporës përmes një dhome të dytë parlamentare;
* orientim i ekonomisë drejt prodhimit vendas dhe rritjes së rolit të shtetit në bujqësi dhe industri;
* hapa drejt bashkimit ekonomik dhe monetar me Kosovën, siç cilësohet në tekst “hapi përfundimtar drejt bashkimit kombëtar”
Po ashtu në peticion bëhet thirrje që qytetarët ta nënshkruajnë dhe shpërndajnë atë.
