Hapësire reklamuese

Aktualitet

Trupa e Avokatit të Popullit prej 3 ditësh në Burgun e Reçit: Mungojnë kushtet, edhe sistemi shëndetësor është i dobët! Po bëhet padrejtësi për Amnistinë

Shkruar nga Newsbomb
Trupa e Avokatit të Popullit prej 3 ditësh në Burgun e
Komisioneri Ahmet Prençi dhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani

Një ekip nga zyra e Avokatit të Popullit po inspekton prej tre ditësh një nga burgjet më të mëdha në vend, atë të Reçit në Shkodër. Sot, këtë institucion e vizitoi edhe vetë Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi.

Ata panë nga afër kushtet e rrethimit, si dhe zhvilluan biseda me të dënuarit dhe stafin e burgut.

​Në një komunikim për mediat pas vizitës, Avokati i Popullit vuri theksin te faktet se, ndonëse Burgu i Reçit është një strukturë e re, ai vijon të vuajë nga mangësitë e vjetra të sistemit, i cili dështon të ofrojë shërbime të mirëfillta rehabilituese për të dënuarit.

​"Të dënuarit nuk mund të ngecin brenda rrjetës së kriminalizimit. Ata duhet të kenë mundësi të ndjekin programe sociale dhe edukuese që e bëjnë rikthimin e tyre në shoqëri të pranueshëm," u shpreh Shabani.

​Duke iu referuar ankesave dhe rasteve të vdekjeve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), Avokati i Popullit kërkoi investime të menjëhershme në infrastrukturë.

Sipas tij, kjo do të garantonte kushte më humane dhe shërbime shëndetësore reale, si për të dënuarit, ashtu edhe për efektivët dhe punonjësit e këtyre institucioneve.

​Endrit Shabani u ndal gjithashtu te zbatimi në praktikë i ligjit për amnistinë, duke denoncuar një hallkë burokratike që po penalizon të burgosurit.

​"Me keqardhje konstatojmë se, pavarësisht vërejtjeve tona që në fillim, ka të dënuar që nuk po përfitojnë nga amnistia edhe pse i plotësojnë kriteret. Kjo ndodh vetëm sepse vendimet e tyre gjyqësore nuk janë zbardhur brenda afateve. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj tyre dhe familjeve të tyre,"- deklaroi Avokati i Popullit.

​Inspektimi në burgun e Reçit do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme. Në përfundim të tij, Institucioni i Avokatit të Popullit do të bëjë publike të gjitha gjetjet dhe rekomandimet zyrtare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese