Mediat e huaja bëjnë me dije se kryeministri Benjamin Netanyahu po synon një takim urgjent me Presidentin amerikan Donald Trump, menjëherë pas kthimit të tij nga samiti i G7 që do të zhvillohet më 15-17 qershor në Evian-les-Bains, Francë. Kjo kërkesë vjen pasi tensionet mes dy vendeve janë rritur, ato janë të lidhura me negociatat mbi Iranin dhe diskutimet për një armëpushim me Hezbollahun në Liban.
Sipas burimeve, Netanyahu kërkon të sqarojë pozicionin e Izraelit në negociata dhe të konfirmojë lirinë e veprimit kundër Hezbollahut, ndërsa Irani kërkon tërheqjen e Izraelit nga Libani.
Ndërkohë nuk kanë munguar kritikat publike të Presidentit Trump ndaj sulmit izraelit në Bejrut, të cilin ai e cilësoi si të panevojshëm, duke minimizuar sulmin e Hezbollahut si “i vogël dhe pa rëndësi të veçantë”. Përplasja publike shënon një devijim nga fronti i bashkuar që dy liderët kishin paraqitur në fillim të konfliktit me Iranin.
Kujtojmë se javën e kaluar Trump i kërkoi Netanyahut të anulonte sulmet e planifikuara ndaj Iranit, pas lëshimit të raketave iraniane drejt Izraelit. Takimi i kërkuar pritet të shërbejë si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të harmonizuar qëndrimet mes dy aleatëve.
