Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca i cili mbeti jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të majit, është bërë pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale pas një fotografie të realizuar këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndreca i cili prej disa muajsh ushtron profesionin e avokatit dhe është pjesë e trupës mbrojtëse të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është fotografuar duke ngritur dy gishtat lart, simbol ky i cili identifikon të djathtët.
Fotoja ka nisur të qarkullojë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke gjeneruar komente dhe interpretime të shumta, pikërisht për faktin se Ndreca ka qenë për vite me radhë një nga figurat e Partisë Socialiste.
Fotografia është shkrepur gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të martë në GJKKO për çështjen në themel ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë që do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Kryebashkiaku i Tiranës nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi vijon të kundërshtojë qëndrimin e tij në kafazin e qelqtë.
Siç raportuam dhe më herët trupi gjykues vendosi që të shtyjë seancën për në datën 21 korrik. Po ashtu, gjykata rrëzoi edhe një nga kërkesat e paraqitura nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
