Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar pasditen e djeshme, datë 10 Korrik, lindjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princ Aleksandër i Shqiptarëve, djali i Princ Lekës dhe Princeshës Blerta. Foshnja ka ardhur në jetë në orën 11:11 në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë.
Materniteti publik ku Princi Aleksandër ka ardhur në jetë, mban pikërisht emrin e stërgjyshes së tij, Mbretëreshës Geraldinë. Oborri Mbretëror njoftoi se Princesha Blerta dhe Princ Aleksandri gëzojnë shëndet të plotë.
Çifti ka shprehur mirënjohjen e sinqertë ndaj ekipit mjekësor të Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për kujdesin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj ngjarjeje të gëzueshme.

