Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, prezantoi ditën e sotme Strategjinë Kombëtare të Kulturës deri në vitin 2030, duke e cilësuar kulturën si një investim publik dhe pjesë të identitetit kombëtar, që gjeneron vlerë ekonomike dhe mbështet integrimin evropian.
Strategjia, e hartuar nga një agjenci italiane pas konsultimeve me ekspertë, artistë dhe organizata vendase, synon një qasje të re.
Gonxhja shpjegoi se programet e saj do të shtrihen në disa nivele, fuqizimi i institucioneve kulturore përmes menaxhimit modern dhe vetëfinancimit, digjitalizimi i arkivave, mbështetja për artizanët dhe përfshirja e kulturës në çdo bashki të vendit.
Një element i rëndësishëm është edhe Statusi i Artistit dhe funksionalizimi i Këshillave Artistikë, të cilat prej kohësh janë kërkuar nga komuniteti krijues.
Ministri theksoi se kultura duhet parë si një instrument kundër shpopullimit, pasi prania e jetës kulturore në qytete dhe fshatra është kusht që të rinjtë të qëndrojnë në vendin e tyre.
Ai shtoi se strategjia merr kuptim vetëm kur shndërrohet në veprime konkrete që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve, duke krijuar dialog mes institucioneve, komunitetit artistik dhe shoqërisë.
